U zhvillua ditën e sotme forumi për menaxhimin integruar të mbetjeve dhe ekonominë qarkulluese, ku u bë një bilanc i performancës së bashkive në këtë sektor dhe prezantimi i politikave për mirëmenaxhimin e mbetjeve urbane në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf, i cili vlerësoi menaxhimin e mirë të mbetjeve në vend dhe shprehu mbështetjen e tij në projekte të mëtejshme.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “Është fakt se ne e nisëm këtë rrugëtim në një Shqipëri ku 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara dhe për banorët e Kombinatit në Tiranë, banorët e Elbasanit apo Fierit sot situata është absolutisht tjetër. Besoj e kujtojnë akoma çfarë ndoste në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin ajrin e ndotur dhe toksik. Pa diskutim banorët e Durrësit e kujtojnë për fat të keq fushën e mbushur me vargmale plehërash në Porto Romano, e cila sot është kthyer në një zonë rekreative. Nëse 50% e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike, sot ne jemi me 90% të grumbullimit të tyre dhe ajo sasi e vogël e pagrumbulluar është ende problem i madh. Gjatë këtij viti është bërë një punë e jashtëzakonshme për sezonin më të pastër”.

“Dua të përmend Himarën si histori suksesi, është një shembull i jashtëzakonshme, i një zgjimi të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që duhet marrë shembull nga të gjithë, që tregon sa e rëndësishme është që secili të bëjë punën e vet dhe të ndërtohet një raport pozitiv me gjithë komponentët. E para ka qenë Lezha dhe sot e shohim të mishëruar në shumë bashki, si Pogradeci , i cili sot është një pasqyrë pastërtie. Kamza shëmbëlltyra më dramatike e pisllëkut sot është pasqyrë pastërtie. Elbasani, falë impiantit ku u hoq fasha e plehrave dhe organizimit dhe shtrirjes së shërbimit në gjithë territorin, përtej zonës urbane.

E megjithatë të gjithë këto së bashku nuk krahasohen dot me Cërrikun dhe Sarandën, që janë disa hapa para, në riciklimin dhe ritrajtimin e mbetjeve për të nxjerrë. Ajo që ka bërë Cërriku është shumë domethënëse sepse tregon vizion dhe lidership, aftësi ndërveprimi me faktorët e duhur dhe tregon një kapacitet komunikues me fermerët për t’iu dhënë mundësi që nga mbetjet të krijojnë ekonomi” tha Kryeministri. Rama falënderoi kryetarët e bashkive për kontributin e tyre në sezonin më të pastër dhe kjo duhet shërbej si inkurajim për të vijuar më tej.