Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot se Reforma në Drejtësi u bë që politika të rrijë larg drejtësisë. Në fjalën e tij në Kuvend në përgjigje të deputetes Jorida Tabaku, Manja tha “ky ishte thelbi sepse drejtësia deri dje ishte në këmbët e politikës dhe u desh vullneti i kësaj shumice, sigurisht edhe 140 deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese që drejtësia të jetë e pavarur dhe larg politikës”. “Sigurisht, Parlamenti ka mekanizmat e veta të kontrollit parlamentar. Është e përcaktuar qartë në ligj, kushtetutë dhe rregullore se si ushtron Parlamenti kontrollin parlamentar mbi një pushtet tjetër të pavarur, por pyetje të tilla mos bëhen”, tha ai. Në lidhje me pyetjen se ku është drejtësia sot, Manja tha se drejtësia sot po bën detyrën.

Ai tha se në kohë të PD-së, drejtësia ishte në paradhomë të kryeministrit apo ish-presidentit. “Dhe nëse keni raste konkrete që është ndërhyrë hapur te drejtësia për raste konkrete është mirë t’ua thoni shqiptarëve në këtë sallë. Dhe sa për raportin e kësaj mazhorance me drejtësinë nuk po hyj t’i referohem historisë pas viteve ’90 sepse është si drita e diellit ndryshimi ynë me ju në raport me drejtësinë. Drejtësia e djeshme kur ju ishit në pushtet e kishit në paradhomën e kryeministrit, presidentit. Ndërsa raporti ynë me drejtësinë ka qenë konsekuent. Dhe ku është drejtësia sot. Raporti ynë është i tillë. Sot ke ministra, ish-ministra, ish-kolegë tanë që po përgjigjen para drejtësisë dhe ka qenë kjo mazhorancë që ka inkurajuar drejtësinë e re që të hetojë mbi këdo dhe mbi çdo gjë”, tha Manja.