Të tjera detaje janë publikuar nga tentativa e e shantazhit dhe grabitjes së futbollistit francez Pogba në shtëpinë e tij. Ka qenë e ëma e 29-vjeçarit që tregoi të gjithë ngjarjen në polici.

“Më drejtuan pistoletën në kokë dhe më kërconin se do të më vrisnin, kërkonin 13 milionë euro që të largoheshin”, ishte deklarata e të ëmës së lojtarit. Policia identifikoi se grabitësit ishin vëllai i Pogbas, Matijas, dhe ish-shokë fëmijërie të lojtarit, të cilët janë arrestuar tashmë.

Në mediat franceze, theksohet se ata janë një organizate kriminale dhe donin të përfitonin sa më shumë nga pasuritë e Pogba. Mësohet se francezi dhe e ëma e tij nuk lëvizin pa një eskortë policore pasi ende e ndjejnë veten të kërcënuar.

Vëllai i Paul Pogba, Mathias Pogba, është arrestuar me akuzën se ka qenë pjesë e një komploti për të shantazhuar mesfushorin e Juventusit. Avokati i Mathias Pogba, Yassine Bouzrou, tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do ta kundërshtojnë vendimin.

Në fillim të këtij muaji, prokuroria në Paris nisi një hetim gjyqësor mbi akuzat e Paul Pogba se ai ishte objektiv i tentativave për zhvatje dhe kërcënime nga një bandë e organizuar, ku theksoi se pjesëtar ishte edhe vëllai i tij. Mathias Pogba, vëllai i madh i Paul Pogba, publikoi një video në rrjetet sociale ku premtoi se shumë shpejt do të zbulonte informacione “shpërthyese” që kanë të bëjnë me futbollistin e Juventusit. Sipas tij, e gjithë bota do t’i kthehet kundër mesfushorit francez pasi të mësojë gjërat që kanë ndodhur: “Njerëzit do të kuptojnë se në këtë tokë nuk ka më frikacak, më tradhtar dhe më hipokrit sesa ty”.

Një nga sekretet është se Paul Pogba mund të ketë paguar një shtrigan për të dëmtuar sulmuesin e PSG, Kylian Mbappe. “A e kupton tani, Kylian? Nuk kam asgjë kundër teje, fjalët e mia janë për të mirën tënde, i kam të gjitha me prova. Nuk të vjen asnjë e mirë nëse pranë vetes ke një hipokrit dhe një tradhtar”, shkroi vëllai i Pogba në Twitter.