Një tjetër video e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u bë virale. Gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë Biden kërkoi mes të pranishmëve ish-kongresmenen republikane Jackie Walorski, e cila humbi jetën në një aksident në fillim të gushtit.

“Jackie, a je këtu? Ku është Jackie? – pyeti presidenti 79-vjeçar, në një fjalim për luftimin e mbipeshës dhe pasigurisë ushqimore. “Dua të falënderoj të gjithë ata që janë këtu,” tha Joe Biden, duke përmendur dy ligjvënës që ishin përfshirë veçanërisht në këto çështje, përpara se të kërkonte gruan e ndjerë në audiencë.

Kongresmenja amerikane Jackie Walorski vdiq në moshën 58-vjeçare në një aksident automobilistik në Indiana më 3 gusht. Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë lëshoi ​​një deklaratë në të cilën Presidenti Biden tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar” nga vdekja e parakohshme e ligjvënëses.