Shqipëria ka shkëlqyer këtë vit me të paktën 3 sportistë qe kanë ngritur flamurin kombëtar duke sjellë 3 medalje ari e shumë te tjera. Duke folur për mbështetjen ndaj sportistëve që përfaqësojnë vendin tonë kryebashkiaku Veliaj tha se ata si kurrë më parë po vlerësohen nga shteti. E duke iu referuar disa mediave, Veliaj tha se ‘portalet gjobëvënëse’ zgjedhin të sulmojnë e të hedhin baltë, në vend që t’i mbështesin.

“Sapo kam mbaruar ceremoninë e betimit të Adrion Pajazitit, është një djalë fantastik që luan për Fulham, mban numrin 44 aty. Sot u betua si shtetas shqiptar dhe do të jetë pjesë e Kombëtares tonë. Unë i ndjek këto portalet e gjobave, jo po “Jeta është gallatë”, jo po “Lapsi, Stilolapsi”, jo po çfarë na duhen ne çeçenet, jo po çfarë na duhet rusi. Pyetja që kam për këta që vënë gjoba është: A ndihen mirë kur Greqia merr atletët dhe peshëngritësit tanë? Jo, i quajmë tradhtarë dhe plas histeria për këtë gjë. A ndihen mirë kur, Elis Guri apo të tjerë që kanë shkuar me Bullgarinë kanë marrë medalje për ta? Jo, ne jemi të parët që hedhim gurë dhe shajmë këdo. Po të njëjtët njerëz mërziten kur dikush që nuk do më të jetojë në Rusi apo në Çeçeni, si gjimnasti ynë, apo si mundësit tanë, që jetojnë në Sqhipëri, janë martuar me shtetase shqiptare, kanë rezidencën shqiptare. Kështu që kërkesa ime për këto portalet e gjobës është: Filloni bëhuni seriozë, sepse që vini gjobë, kjo dihet nga të gjithë. Nëse i shani këta njerëz kur bëhen shtetas shqiptarë, nuk mund të jeni po ju që thoni: Sa krenarë jemi që këta na sjellin medalje. Sot jetojmë në një Tiranë që ka 144 shtetësi. Ne kemi sot një shtetase italiane që garon për ekipin tonë të skive. Për këtë është xhelozuar gjithë Italia sepse ajo është një vajzë gjithë talent dhe unë besoj që do të na sjellë medaljen e radhës. Këtyre personave le t’u themi: Mirësevini! Politika jonë është të inkurajojmë ato talente që duan të identifikohen në një botë globale”, nënvizoi Veliaj.