Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ua ka bërë të qartë të gjithë atyre që mbështesin Sali Berishën e shpallur ‘Non Grata’ për korrupsion dhe minim të demokracisë se nuk duhet që të shkojnë pas pushtetit, por pas ligjshmërisë.

Yuri Kim, si ambasadore e SHBA-së ka vetëm një kufizim nga Uashingtoni, të mos takojë personat që janë në listën e zezë të Amerikës si të korruptuar dhe minues të demokracisë, e këtu bën pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një kohë kur ka nisur takime intensive me përfaqësues të partive politike, përfshirë këtu edhe me Ilir Metën, Kim ka theksuar se jo vetëm ajo, por asnjë zyrtar amerikan nuk do të takojë kurrë Berishën, apo çdo njeri tjetër që është ‘i padëshiruar’ në SHBA.

“Do të vazhdoj të takohem me një gamë të gjerë drejtuesish politikë nga të gjitha partitë. E dini, kam vetëm një kufizim, dhe nuk është kufizim që ia vendos unë vetes, por është kufizim nga Uashingtoni…(Për Z. Berisha) …dhe ky kufizim është që nuk do të takohem me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor ose minim të demokracisë”, tha Kim.
Edhe pse Berisha e quan veten kryetar të PD-së, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, thotë se njeh deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj si kreu në detyrë i kësaj force politike.

“Nuk është garë popullariteti për ne. Për ne ka të bëjë me shtetin ligjor. Ne u takuam me Z. Alibeaj në detyrën e tij si kryetar i grupit parlamentar dhe si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jemi të qartë mbi shtetin ligjor. Nuk mund thjesht të shkosh në anën e atij që ka më shumë pushtet. Do të ishte paligjshmëri. Për ne, si institucion, për mua si përfaqësuese e Shteteve t ë Bashkuara dhe Presidentit, unë takohem me njerëzit që njihen nga ligji. Këtë do të vazhdoj të bëj. Mund t’ju them se në asnjë moment nuk do të jetë e mundur për mua apo për ndonjë zyrtar të Shteteve të Bashkuara që të takohet me dikë që të përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minimin e demokracisë. Kjo nuk do të ndodhë”, tha Kim.

Në nië intervistë, diplomatja është ndalur të flasë edhe për takimin me ish-presidentin Ilir Meta, me të cilin ka pasur marrëdhënie jo aq diplomatike. Mirëpo Kim, tha se te ai takim i bërë nuk kishte asnjë mesazh të fshehtë. Sipas saj, mesazhi kryesor është që institucionet demokratike kanë rëndësi dhe për aq kohë sa Meta drejton një parti politike, atëherë takimi me të ishte i rëndësishëm. Diplomatja amerikane dha edhe detaje duke thënë se është diskutuar për shumë çështje, për të cilat jo domosdoshmërish ka pasur një dakordësi mes palëve.

“Edhe një herë, nuk është mesazh i fshehtë. Është një mesazh shumë i hapur, që institucionet demokratike kanë rëndësi. Dhe, është normale në për vende, po e diskutoja këtë me stafin tim, që është normale, që në festën për Ditën tonë të Pavarësisë, që është festa më e madhe, më kryesorja, është normale që Ambasadori të flasë në emër të Shteteve të Bashkuara. Dhe është normale të ftohet përfaqësuesi më i lartë i vendit pritës. Kemi nderin e madh që thuajse çdo vit të kemi Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe për ne, pavarësisht kush është ai person, ai është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është ai që flet në emër të popullit shqiptar. Folëm, mendoj, për mbi dy orë. Ishte një diskutim shumë i mirë dhe disa nga gjërat, ish-Presidenti Meta përmendi disa nga gjërat, dhe mendoj se ishte një shkëmbim i mirë pikëpamjesh…A ishim në një mendje për të gjitha temat? Jo, sigurisht që jo”, tha Kim.

Kim komentoi edhe shkarkimin e Gledis Nanon si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të cilën ambasadorja tha se nuk e priste duke shtuar se ai ishte një aleat shumë i mirë për SHBA-në. Në fund dha edhe një koment për amnistinë fiskale, ku u shpreh skeptike se kjo skemë mund të përdoret për pastrimin e parave të pista, gjë që do të rrezikonte integrimin e vendit në BE.