Ministrja e Arsimi, Evis Kushi ka deklaruar sot në Kuvend se do të ketë një vendimmarrje lidhur me kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagave. Kushi tha se më 22 gusht në Ministrinë e Arsimit është zhvilluar një takim me rektorët dhe administratorët e universiteteve bashkë edhe me ministren e Financave për çështjen e pagave të pedagogëve, por edhe çështje të tjera financiare.

“Kemi diskutuar gjatë. Kemi vlerësuar të gjithë alternativat, nesër kemi një takim me përfaqësues të sindikatës së universiteteve pikërisht ata që kanë firmosur peticionin. Vetëm për dialogun me universitetet nuk mund të na akuzoni sepse nëse ka dialog më intensiv me universitetet kjo është pikërisht gjatë këtij viti të fundit”, tha Kushi. Ministrja Kushi u shpreh se çdo muaj takohemi me rektorët e universiteteve, me një pjesë të kabinetit qeveritar që lidhet me fusha të caktuara, është edhe vetë kryeministri dhe sigurisht që diskutojmë dhe marrim vendime bashkërisht për çështje që lidhen me arsimin e lartë.

“Nuk ka pasur asnjëherë qoftë kur kanë qeverisur qeveritë e majta apo të djathta që të ketë një dialog kaq intensiv, qeveria të jetë kaq përfshirë dhe marrëdhënia me universitetet të jetë edhe produktive. Se çfarë vendimesh do të merren nuk mund t’ua them tani, por sigurisht këtë çështje e kemi në vëmendje e konsiderojmë shumë të rëndësishme në varësi të shumë faktorëve që lidhen edhe me situatën ekonomike sigurisht ne do te kemi një vendimmarrje”, tha Kushi. Ministrja Kushi theksoi se “bursa për studentët që janë sa paga minimale, 340 mijë lekë, tani që rritet edhe paga minimale. Të gjithë ata studentë që janë ekselentë, që fitojnë olimpiada do të përfitojnë edhe përjashtim nga tarifat edhe bursë studimi sa paga mininale. Bursat që lidhen me paktin për universitetin vazhdojnë të jenë në fuqi”.