Pro-rusët pretendojnë se banorët e 4 rajoneve të jugut dhe lindjes së Ukrainës kanë mbështetur fuqishëm, bashkimin me federatën ruse. Organizatorët e referendumeve të imponuara nga Moska publikuan rezultatet e votimit 4 ditor që u mbyll të Martën.

Në Donjeck është shënuar mbështetja më e madhe për bashkimin me Rusinë, 99.2%. Mbi 90% edhe në Luhansk e Zaporizhia. Mbështetje më e ulët në Herson me rreth 87%. Rajonet përbëjnë 15 % të territorit ukrainas me sipërfaqe sa Hungaria. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Vladimir Putin pritet që brenda kësaj jave të dorëzojë në parlament për miratim, kërkesën për aneksimin e këtyre territoreve, duke dërguar atje ushtarë nga kontigjienti i 300 mijë të mobilizuarve ditët e fundit.

Por për perëndimin, referendumet janë “mashtrim”. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria bashkëpendëmbajtëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të paraqesin një rezolutë që i dënon ato. Në fjalën e tij Ambasadori Shqiptar në Kombet e Bashkuara Ferit Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk do ti njohë kurrë rezultatet e këtyre referendumeve.

“Referendumet e turpshme të mbajtura nga Rusia janë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe kundër ligjit ndërkombëtar. Siç u tha nga kryeministri Edi Rama gjatë javës së shkuar në selinë e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria dënon sulmin rus në Ukrainë dhe nuk do t’i njohë kurrë rezultatet e dala nga këto referendume.”

Edhe për shefin e diplomacisë europiane Josep Borrell, referendumet janë të jashtëligjshme dhe rezultatet, të falsifikuara, ndërsa Brukseli paralajmëron tjetër ashpërsim të sanksioneve.