Të shtunën e 17 shtatorit mundësi rus i natyralizuar në shqiptar Zelimkhan Abakarov shkroi historinë e kuqezinjve në këtë sport, duke u shpallur kampion bote dhe duke marrë për herë të parë medalje të artë. Për ‘Report TV’ 29-vjeçari tregon emocionet e kësaj arritje në Beograd dhe ndienjat për përfaqësimin e flamurit shqiptar.

“Jam shumë i lumtur që arrita të fitoj këtë medalje si në aspektin personal ashtu edhe për Shqipërinë. Mund të them se jam krenar që garoj për flamurin kuqezi, pasi arrita të gëzoj njerëzit të cilët më kanë besuar, mbështetur dhe më kanë krijuar mundësinë të garoj. Tani dua të fitoj në Europian dhe në Lojrat Olimpike,”-u shpreh Zelimkhan Abakarov, mundës.

Ndërkohë presidenti i Federatës së Mundjes, Sait Prizreni, tregoi se si e bindi Abakarov, por edhe sportistin tjetër nga rus Dudaev të përfaqësonin Shqipërinë.

“Historia me Zelimkhanin dhe Dudaev ka filluar 2 vite më parë, pasi unë i ndoqa sportistët nëpërmjet miqve në Rusi dhe konkretisht në Dagestan të Çeçenisë. Kam insistuar fort dhe djemtë erdhën fillimisht ta vizitonin Shqipërinë. Unë më pas i premtova, që nga dita e para, se ‘personalisht dhe ne emër të federatës do bëj të mundur rrugëtimin tuaj deri në majë të suksesit’. Sportistët s’janë dosido, pasi kanë garuar për shtetin rus, por fakti që nuk e kanë arritur me këtë shtet meritë ka federata e mundjes,”-deklaroi Sait Prizreni, president i federatës së mundjes.

Pavarësisht pritjeve të merituara të sportistëve nga përfaqësuesit e shtetit Prizreni është pessimist për Abakarov, duke qenë se ai vjen nga Çeçenia.

“Rastet e fundit flasin qartë për një vëmënedje të shtetit ndaj rezultateve të sportistëve, por unë shpresoj që kjo mos të jetë një fasadë, pasi sportistët duan mbështetje dhe konkretisht në aspektin ekonomik. Shteti duhet patjetër ta nderojë këtë kampion që na bëri krenar në mes të Beogradit dhe Zelimi si kampion bote meriton të nderohet si çdo person tjetër që garon për flamurin shqiptar,”-tha Sait Prizreni, president i federatës së mundjes./Shqiptarja.com