Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku pritet që të merret në pyetje për hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.

Report Tv mëson se Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes gjatë qeverisjes së Sali Berishës ku u privatizua kompleksi ‘Partizani’, është thirrur si person qe ka dijeni për rrethanat e hetimit për dosjen e kompleksit ‘Partizani’. Mediu është paraqitur në SPAK pa avokat mbrojtës dhe në cilësinë e deklaruesit.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Në këtë padi të bërë nga Taulant Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.

Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dorëzoi një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milionë euro kjo është blerë më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë. Në letrën për SPAK Balla ka kërkoi informacion se çfarë është bërë me këtë hetim.

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.

Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ”doktorit”, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh. Falë ligjit të transparencës, për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e ” Kompleksit sportiv Partizani ” ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë.