“A cup of coffee and new shoes on”, me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, do të garojë midis filmave të shteteve të tjera në kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”.

Sipas deklaratës së QKK, filmi u përzgjodh midis dy prodhimeve të tjera të këtij viti: “Njëri prej nesh” nga regjisori Ergys Meta dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” nga Fatmir Koçi.

Kjo nuk është hera e parë që autori Gentian Koçi përfaqëson Shqipërinë në garën e çmimeve Oscars. Në vitin 2018 ai ishtë kandidatura zyrtare e Shqipërisë me filmin e tij debutues me metrazh të gjatë, “Dita zë fill”, film i cili u përzgjodh në mbi 50 festivale në të gjithë botën, duke rrëmbyer çmimet si “Aktorja më e mirë, “Skenari më i mirë”, dhe “Filmi më i mirë”.

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës, si dhe është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).

“A cup of coffee and new shoes on” tregon historinë e dy vëllezërve binjakë të cilëve u duhet të përballen me një sëmundje të pashërueshme. Në rolet kryesore janë dy aktorët e njohur portugezë Edgar Morais dhe Rafael Morais. Filmi sjell dhe debutimin e aktores shqiptare Drita Kabashi.

Pak më shumë mbi regjisorin…

Gentian Koçi u diplomua për Regji Filmi në vitin 2009, në Tiranë. Në vitin 2012, ai realizoi xhirimet dhe regjinë e dokumentarit “Not a carwash”, i cili e pati premierën e tij si përzgjedhje zyrtare në festivalin Hot Docs, u nominua për Çmimin Special të Jurisë në Sheffield Doc/Fest, si dhe pati një vlerësim të madh nga kritikët në Sight & Sound.

Në vitin 2017, Gentian Koçi përfundoi filmin e tij të parë me metrazh të gjatë “Dita zë fill”, si producent, regjisor dhe skenarist. Ky film pati premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës, ku aktorja kryesore u nderua me çmimin Heart of Sarajevo si “Aktorja më e Mirë”.

Kategoria e filmit më të mirë të huaj në Oscars është konsideruar gjithmonë një fitore e shtetit më shumë se sa e vetë filmit. Vendi i huaj më i vlerësuar është Italia, me 14 çmime të fituara (përfshirë tre çmime speciale) dhe 29 nominime, ndërsa Franca është vendi i huaj me më shumë nominime (37 për 12 fitore, duke përfshirë tre çmime speciale). Izraeli është vendi i huaj me më shumë nominime (10) pa fituar asnjë çmim, ndërsa Portugalia ka më shumë aplikime (34) pa nominim. Në vitin 2020, përfaqësuesi i Koresë së Jugut, filmi “Parasite” u bë fituesi i parë ndërkombëtar i filmit artistik dhe filmi i parë jo-anglisht-folës në përgjithësi, që fitoi gjithashtu në kategoorinë e “Filmit më të mirë”.