SHBA, New York, Kryeministri Edi Rama i ftuar në “Wake Up America”.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili do të mbledhë së bashku liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat dhe të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog, në qytetin e Nju Jorkut, për një periudhë kohe dy javore.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres, së bashku me liderë të tjerë pjesëmarrës,  si dhe zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të lartë të OKB, liderë, politikanë dhe personalitete të fushave të ndryshme. Kryeministri do të marrë pjesë në disa aktivitete në kuadër të punimeve të Asamblesë; si Samiti i Transformimit të arsimit; debati me temë “Zgjidhje transformuese për sfidat e ndërlidhura”, apo eventi “Sfidat dhe përgjigjet e shumë palëve ndaj paqes, sigurisë dhe krizës klimatike.”

Kryeministri Rama, i cili në këtë vizitë është së bashku me Ministren për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka,  – do t’i adresohet Sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB me një fjalë.

Në nisje të agjendës së tij, Kryeministri Rama dha sot një intervistë në  “Wake Up America”

Rama eshte fokusuar te sulmi kibernatik i Iranit mbi vendin tone ku ka theksuar se ”Dua ta bëj shumë të qartë që nuk jam unë që e kam akuzuar Iranin, por kemi prova mbështetur në një punë mjaft të imët të ekspertizës ligjore të super skuadrës Microsoft për zbulimin e kërcënimeve, si dhe super skuadrës së agjencive të specializuara amerikane, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, Republika Islamike e Iranit, e cila ka sponsorizuar katër grupe, një prej të cilëve është një prej grupeve kryesore të terrorit kibernetik që qëndron pas sulmeve kundër Arabisë Saudite, Izraelit, Kuvajtit, e kështu me radhë. Kështu që, nuk është akuzë, është fakt.”

INTERVISTA E PLOTE:

* * *

Do të vazhdojmë mbulimin e funeralit mbretëror të Mbretëreshës Elisabeta II, por Robi ka dhe miq të veçantë sot paradite. 

Faleminderit shumë! Kam këtu ish drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Grenell, ish ambasador i Gjermanisë po ashtu, këtu në New York, ndërkohë që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është gati të diskutojë një sërë çështjesh gjatë këtyre dy javëve, përfshi luftën në Ukrainë dhe mungesën energjitike dhe do të diskutojmë po kështu dhe sulmet kibernetike që Irani ka kryer kundër disa vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë. Për më shumë për këtë kemi këtu dhe Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Zoti Kryeministër, jam i kënaqur që ju kam këtu. 

Kryeministri Edi Rama: Edhe për mua është kënaqësi.

– Dua ta nis natyrisht me lajmin e ditës, me funeralin e Mbretëreshës Elisabeta II. E di që ju jeni takuar me të 3 vite më parë për të shënjuar 70 vjetorin e NATO-s. Si ishte ajo përvojë?

Kryeministri Edi Rama:  Ishte një pritje e madhe në Pallatin e Buckingham, ishte e paharruar për mua dhe jam i sigurt edhe për gjithë të tjerët, por do të thoja që nuk mund ta them më mirë se sa e ka thënë presidenti francez. Për britanikët ajo ishte Mbretëresha e tyre, për të gjithë ne ajo ishte Mbretëresha. Kështu që është një ndjenjë mjaft e fortë në mbarë botën. Të gjithë janë të mallëngjyer sepse ishte paksa njësoj si Mbretëresha. E ndërkohë që britanikët kanë tashmë Mbretin, ne nuk kemi Mbretëreshën.

– Ishit i tensionuar përpara asaj përvoje sepse kam dëgjuar ish presidentë amerikanë që thonin që ishte hera e vetme që ata ndiheshin të tensionuar kur do takoheshin me Mbretëreshën. 

Kryeministri Edi Rama: Po duhet të ishin të tensionuar sepse duhet të ishin audiencë me të, duhet të shpenzonin kohë me të, por nuk ishte rasti im ky. Unë mund të fshihesha pas aleatëve të tjerë të NATO-s dhe edhe pse jam i gjatë, mund ta shmangia këtë tensionim.

– Zoti Kryeministër, për auditorin tonë amerikan, mendoj që njerëzit e dinë që Shqipëria ka qenë që në 2009 anëtare e NATO-s. Së fundmi, ju keni dalë me një deklaratë shumë të fortë dhe të qartë ku akuzonit Iranin për sulm kibernetik, për sulme të shumëfishta kibernetike kundër Shqipërisë. Sigurisht, kjo bëri lajm në mbarë botën, ju ishit shumë i qartë me përjashtimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Cili ka qenë reagimi nga aleatët e NATO-s dhe cilat janë lajmet e fundit për këto sulme kibernetike?

Kryeministri Edi Rama:  Dua ta bëj shumë të qartë që nuk jam unë që e kam akuzuar Iranin, por kemi prova mbështetur në një punë mjaft të imët të ekspertizës ligjore të super skuadrës Microsoft për zbulimin e kërcënimeve, si dhe super skuadrës së agjencive të specializuara amerikane, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, Republika Islamike e Iranit, e cila ka sponsorizuar katër grupe, një prej të cilëve është një prej grupeve kryesore të terrorit kibernetik që qëndron pas sulmeve kundër Arabisë Saudite, Izraelit, Kuvajtit, e kështu me radhë. Kështu që, nuk është akuzë, është fakt.

 Nga ana tjetër, kuptuam që ishte koha për të prerë çdo lloj marrëdhënieje me këtë regjim sepse aktualisht, nuk mund të lejonim më që ambasada të vazhdonte të ishte në mes të kryeqytetit e të punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë.

 -Keni folur me anëtarët e NATO-s për Nenin 5, sulmi kundër njërit është sulm kundër të gjithëve?

Kryeministri Edi Rama: Si anëtare e NATO-s, ky është një sulm.  Është e vërtetë, por në të njëjtën kohë ne kemi preferuar pikë së pari të ndërtojmë, jo thjeshtë ndërgjegjësim, por të ngremë një aleancë për mbështetje sepse ajo për të cilën kemi nevojë tashmë është të përshpejtojmë të gjithë planet tona për të ndërtuar një mbrojtje kibernetike të fjalës së fundit sepse edhe pas sulmit masiv të 15 korrikut patëm një tjetër dhe jemi të përgatitur që të tjerë do të vijnë sepse gjithkush e di që ky regjim është i angazhuar në këto lloj veprimtarish në mbarë botën dhe është mjaft shqetësuese që kjo ndodh, ndërkohë që reagimi i përbashkët i mbrojtjes ende nuk është aty ku duhet.

– A duhet të negociojë administrata e Biden me regjimin iranian, ndërkohë që regjimi iranian qartësisht vret personat gay, vret gratë dhe kryen sulme kibernetike kundër aleatëve të NATO-s?

Kryeministri Edi Rama:  Nuk më takon mua të them sepse Shqipëria është një aleate mjaft e fortë dhe e angazhuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Natyrisht ne e dimë pozicionin tonë dhe e dimë që nuk është mbi shpatullat tona barra për të marrë vendime shumë të mëdha, por duke qenë se kemi jetuar në një regjim shumë të ngjashëm për vite të tëra, që nuk ishte një regjim totalitar fetar, por ishte një regjim totalitar ateist mund të them nga përvoja që të merresh në mënyrën tonë, që do të thotë në mënyrën e vendeve demokratike, me të tilla regjime, nuk më ngjan një vizion shumë larg pamës.

-Z. Kryeministër, 7 muaj më parë, nuk ma ha mendja që shumë njerëz në Amerikë e dinin ku binte Ukraina në hartë. Kjo është pjesa juaj e botës, Shqipëria nuk është larg shumë prej Ukrainës, a mund të flisni për mënyrën sesi kjo luftë ka ndikuar në popullin shqiptar, në këtë pjesë të botës?

Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, më duhet të ndaj me ju dhe me audiencën tuaj që Shqipëria është një rast i veçantë sepse ka një histori të veçantë. Ne kemi qenë “Koreja e Veriut” e Europës. Ishim të izoluar nga Perëndimi  e Lindja dhe nuk kishim lidhje me Kremlinin qysh prej 1960-ës, për arsye të këqija, sepse diktatura jonë donte që Kremlini  të mbetej stalinist, që të ishte në mënyrë të pamëshirshme kundër çdo lloj dialogu me Perëndimin, e kështu me radhë. Por, nga ana tjetër, kjo histori na bëri tërësisht të distancuar prej Rusisë dhe në këto 30 e pak vite të ndërtimit të demokracisë, nuk kemi pasur asnjëherë shkëmbime serioze dypalëshe, nuk kemi patur asnjëherë një president rus që të vizitojë Shqipërinë, asnjëherë ne nuk kemi vizituar Kremlinin, kështu që, nuk më mungon, vërtetë.

Nga ana tjetër, ne nuk varemi nga gazi rus, jemi tërësisht me energji të ripërtëritshme në Shqipëri, me probelemet tona, sigurisht sepse është energji në bazë të burimeve hidrike dhe kur Ai lart nuk qan mjaftueshëm, na duhet të vuajmë shumë mungesën e ujit, na duhet të importojmë, ndikohemi kësisoj nga çmimi, por e thënë gjithë kjo, e përmbyll, duke thënë se nuk është e vështirë që të ruajmë një qëndrim të fortë në një vend ku popullariteti i Putinit është më pak se 1% dhe ku 99% e më shumë e njerëzve besojnë se kjo është e gabuar dhe se ky agresion është i papranueshëm dhe se ne duhet të qëndrojmë krah Ukrainës dhe se duhet të qëndrojmë për atë në të cilën besojmë.

– Mirë, kam një pyetje shumë serioze. 

Kryeministri Edi Rama:  Ti gjithnjë ke pyetje serioze.

– E kam lidhur me talentin tuaj artistik. Kryeministri është një artist i jashtëzakonshëm. A është libri juaj i vlefshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për artin tuaj? A mund ta shohin amerikanët? Si mund ta shohin amerikanët, që jeni kryeministri i Shqipërisë aleat i NATO-s dhe një artist?

Kryeministri Edi Rama:: Pikë së pari nuk e di se sa fjala “artist i jashtëzakonshëm” mund të ishte e përshtatshme në këtë qytet ku artist mirëfilli të jashtëzakonshëm janë gjithkund, por kam pasur nderin të ftohem e të ekspozoj punën time në galerinë e Marian Goodman, që është zemra e artit bashkëkohor dhe aty ende janë punët e mia. Kështu që të gjithë mund të shkojnë ta shohin.

– Çfarë lloj arti, mund të pyes, piktura?

Kryeministri Edi Rama:: Lloji më i mirë i artit. Kjo është përgjigja më e lehtë për të shpjeguar artin tënd, ndërkohë që është më e ndërlikuar se kaq. Unë pikturoj në zyrë. Vazhdoj të punoj si kryeministër në zyrën time, por gjithashtu vazhdoj të vizatoj, duke dëgjuar bashkëpunëtorët e mi, duke folur në telefon dhe në ato fundjava që janë më pak të ngarkuara, punoj me një mikun tim dhe bëj skulpturat e mia.

– Do doja shumë të shihja disa prej tyre. Zoti Kryeministër faleminderit që ishit me ne sot në mëngjes! E vlerësojmë shumë!

 Faleminderit!