Thjesht dhe pastër. Inter rikthehet të shijojë një sukses në Champions, mposht pa shumë vështirësi Viktoria Plzen me rezultatin 0-2 duke marrë tre pikët e para në Grupin C. Një ndeshja pa shumë histori, vetëm me një sens drejtimi, ku zikaltërit kishin kontrollin e lojës nga fillimi në fund.

Dyshja e sulmit, Corre-Dzeko “gatuan” golin e parë, me boshnjakun që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 20-të. Gjërat u bënë me të thjeshta për Inter me fillimin e pjesës së dytë teksa vendasit mbetën me dhjetë lojtarë pas minutës së 61-të. Në të 70-tën me një kundërsulm të shpejtë, Dumfries sigloi shifrat përfundimtare në 0-2. Simone Inzaghi i dha mundësinë edhe Kristjan Asllanit të debutonte për herë të parë në Champions League.

“Objektivi ishte të merrnin tre pikët. E bëmë të thjeshtë një ndeshje që nuk ishte e tillë, asnjë skuadër italiane nuk kishte fituar këtu. Është një fitore e merituar, jam i lumtur për djemtë”, u shpreh ndër të tjera Simone Inzaghi në konferencë për shtyp.