Ditën e sotme u inauguruan zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit në ambientet e ish-kompleksit Dinamo, që tanimë quhet Shtëpia e Futbollit. Në këtë inaugurim ishte i pranishëm edhe presidenti i FIFA-s Gianni Infantino që po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama së bashku me presidentin e FSHF Armando Duka shoqëruan Infantinon dhe delegacionin e tij në muzeun që tregon për historinë e futbollit shqiptar, që prej lindjes së tij dhe arritjet më të rëndësishme futbollistike.

Presidenti i FIFA-s gjatë fjalës së tij tha se: “Për mua është një kënaqësi e madhe të jem këtu me ju ku përurojmë këtë shtëpi të mrekullueshme të futbollit. Ne të gjithë ia kemi dalë si një familje e madhe e futbollit të ndërtojmë këtë shtëpi, e cila projekton FSHF dhe Shqipërinë në një epokë të re. Kam ardhur për herë të parë këtu ka qenë para 20 viteve dhe ajo që shoh sot është 2 mijë vite dritë më para, shoh një spektakël në rajon me investimet infrastrukturore sepse tregon se Shqipëria është e orientuar drejt së ardhmes. Dua të komplimentoj për punën e madhe që është bërë.”

Në vijim Kryeministri në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “ Shqipëria nuk është superfuqi por është një fuqi e madhe e mikpritjes dhe e pasionit në sport që ne duam ta mbështesim dhe zhvillojmë. Për ne para së gjithash vjen dëshira e përbashkët për ta zhvilluar këtë sport, që nuk është një qëllim në vetvete ajo çka shohim në televizor që sjell pasuri, po është ai që bën bashkë fëmijët në fusha. Fusha të cilat nuk janë të mjaftueshme në vend në raport me banorët, kemi bërë stadiume po ky është një objektiv i yni me federatën që të investojmë edhe më shumë. Do të bëjmë shumë fusha në të gjitha qytetet sepse kemi nevojë për të rritur nivelin e trajnimit.

Në ambientet e ish-kompleksit Dinamo, është projektuar një shtëpi për futbollin dhe kombëtaren shqiptare, si një qendër moderne e bashkëkohore ku mirëpritet kombëtarja dhe zhvillohet edukimi i trajnerëve dhe kurseve të ndryshme.

Po ashtu në këtë hapësirë me të gjitha standardet dhe lehtësitë logjistike, përfshihen edhe ambiente për zhvillimin e konferencave, takimeve, asambleve si dhe një muze për futbollin dhe dy mini stadiume për stërvitje e evente sportive.