Nga Jakin Marena

Lulzim Basha është vënë në qendër të goditjeve të kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri. Më shumë se sa të majtët, “shigjetat” ndaj Lulzim Bashës po hidhen nga ana e kundërshtarëve të tij brenda PD, sidomos nga drejtuesi i grupimit më të madh të kësaj partie, Sali Berisha.

Për hir të së vërtetës Basha nuk ka ndonjë mbështetje apo rol në PD, dhe do të ishte mungesë bonsensusi që për një “fakturë” politike, në mesin e “frakturave” të tjera të ish liderit të PD, të ketë goditje kaq të mëdha nga brenda partisë që ai drejtoi për 9 vite, por dhe e “voli” në pushtet dhe në opozitë plot 17 vite.

Arsyeja e vërtetë e këtyre sulmeve me sa duket është vendosmëria e Berishës për të treguar se gjithçka negative që ka ndodhur në PD gjatë 9 viteve të fundit ka vulën dhe firmën personale të Lulzim Bashës, i cili për interesat e tij personale, sipas Berishës, ka “filtruar” jo pak po gati 1 milionë dollarë financime ruse për të lobuar në SHBA.

I shpallur vetë “non grata” familjarisht nga SHBA, Berisha me këmbënguljen e tij për të bërë Bashën fajtor për gjithçka në PD, përfshirë dhe financimin me para ruse në SHBA në emër po të PD, kërkon të tregojë se nuk është ai “djalli” në partinë më të madhe të opozitës, por Basha.

Njëherësh ai pretendon dhe më tej ndoshta, për të treguar se vendimi i DASH për shpalljen e tij “non grata” për korrupsion të thelluar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë ka qënë i nxituar ose deri dhe i gabuar. Mendja e Berishës e bluan gjithnjë këtë mundësi.

Nga ana tjetër, “sondimi” i fortë për amplifikimin e raportit të DASH, i cili publikoi listën me emra partish që përfituan nga Rusia 300 milionë dollarë që nga vitit 2014, mes të cilave dhe PD e Bashës në atë kohë, bëhet nga Berisha për të akuzuar se ishte pikërisht kjo dosje e rëndë, me të cilën e detyruan Bashën të deklarojë përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD dhe më pas dhe nga vetë partia.

Duke e nxjerrë rrugëve në pleqërinë e tij të thellë, për të marrë PD-në, një përpjekje kjo përmes foltoreve, sulmeve të dhunshme ndaj selisë buzë Lanës, por dhe shfrytëzimit të dobësisë së Bashës në zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit. Më në fund Berisha ia doli që të rifusë në dorë sërish “pronën” e tij, partinë. Pavarësisht se PD është më e ngurtësuar, më e zvogëluar dhe me një çështje, atë të vulës, në gjykatë. Por aq i nevojitet Berishës.

Nga ana tjetër, Berisha është trembur nga rikthimi në skenë i hetimit nga amerikanët i lobimit me para ruse të Bashës, pasi e ka të qartë se SHBA nuk fal as atë që deklarohet nga mëngjesi deri në darkë si pro-amerikan, nëse ka shkelur ligjin dhe për më tepër ka cënuar sigurinë e SHBA dhe të vendeve aleate, në rastin konkret Shqipërisë, me veprimin e tij.

Nëse ndodh kjo me Bashën, Berisha është i sigurtë se atij s’ia fal askush sekondin, sepse i ka zullumet shumë më të rënda, shumëfish më të rënda, krahasuar me Bashën mendjelehtë dhe një “dashnor” të pandreqshëm të përfitimit të parave “qyl” dhe pa punuar, në të gjitha rastet.

Berisha është i sigurtë që dosja e tij është “këmbëkryq” në DASH dhe në organet e ligjzbatuese të SHBA. Duke filluar me informacionet e “flirteve” me Rusinë, Iranin dhe vendeve të tjera jo mike, që në qeverisjen e parë. Ku fishekët dhe kallashnikovët shqiptarë iu shitën vijimësisht Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për t’u shpërndarë vendeve të rajonit të Gjirit Persik, në tenativën e regjimit të Ajtollahëve për të shtrirë ndikimin, deri në Siri dhe Liban.

Njëherësh, “rrjedhja” e informacioneve të klasifikuara të NATO-s drejt Rusisë, Iranit, Serbisë dhe vendeve të tjera jo mike, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë është e shënuar e zeza mbi të bardhë, duke arritur deri atje sa për shumë vite, deri më 2013 përfaqësuesit shqiptarë nuk lejoheshin në mbledhjet e nivelit sekret të NATO-s. Dhe për më tepër në drejtim të Berishës kryeministër nuk qarkullonte asnjë informacion i klasifikuar nga frika e këtyre rrjedhjeve. Pasi Berisha kishte këshilltarin më të besuar pikërisht një biznesmen kontravers serbo-boshnjak, si Damir Fazlliç, njohje e hershme e shërbimit serb dhe atij rus.

Mund të përmendim këtu dhe lidhjet shumëfishe të Berishës me terroristët islamikë, krijimin e bazave të tyre në Shqipëri deri në vizitën e Osama Bin Laden në Tiranë, si dhe vijimin e këtyre lidhjeve dhe më pas, në qeverisjen e tij të dytë.

Pa përmendur këtu kërkesën për ndihmë, duke ia lënë ‘faturën’ Bashës gjatë protestave të dhunshme kundër qeverisë së Ramës, përkundrejt Rusisë për të ashtuquajturit “rusët e bardhë” që erdhën nga Maqedona e Veriut me kërkesën e ambasadës ruse në Tiranë, “për rritjen e shkallës së sigurisë në Ambasadë”. Këtë kontigjent kërkonte të shfrytëzonte Berisha, për t’i dhënë një “dorë” ndihme në tentativën për të nxitur dhe krijuar konflikte të dhunshme në Shqipëri, duke pretenduar se duhej rrëzuar rama dhe duhej hapur rruga e një qeverisjeje teknike. Pra një tentativë për të marrë pushtetin me dhunë, përmes mbështetjes ruse.
Ndërkohë që evident në këtë periudhë ka qënë dhe instalimi “non stop” i mediave ruse dhe pro ruse që publikonin direkt në Moskë zhvillimin e këtyre protestave. Gjërat janë të lidhura.

Ndërkohë që Gërdeci është vetëm “maja e Ajzbergut” e krimit të Berishës, që është vënë në shënjestrën e aleatëve tanë dhe përtej Atlantikut, jo vetëm sepse ish kryeministri demokrat kërkoi të implikonte ambasadën e SHBA në këtë aferë të drejtuar nga djali i tij, por dhe për faktin se ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral Luan Hoxha është rrëfyer hollësisht me sa duket në Uashington, para organeve ligjzbatuese amerikane, pasi mori azilin politik në SHBA. Nga frika e hakmarrjes së Shkelzen Berishës, pronarit të biznesit të vdekjes në Gërdec, dhe kjo nuk është pak.

Vdekja misterioze e shtetasit amerikan, njëherësh biznesmenit që denoncoi aferën e Gërdecit, Kosta Trebicka dhe një sërë zullumesh të tjera, në Shqipëri, e kanë bërë Berishën “shënjestër” të drejtësisë shqiptare, dhe me ndihmën e aleatëve, duke ia shtuar akoma më shumë frikën se dosjet janë kopsitur tashmë dhe është vështirë shmangia e tyre. “Gërdeci” u deklarua se do hetohet nga SPAK përtej hetimit të Fatmir Mediut, pra për të mbërritur tek familja Berisha.

Të gjitha këto elementë, shtuar dhe shkatërrimin e drejtësisë e financave publike nga themelet, kanë bërë që Berisha të mos e ndjejë veten të sigurtë, ndërsa po përpiqet të paraqesë si “djalllin” në PD pikërisht Lulzim Bashën, si për të treguar se në Shqipëri, dhe sikur të mbyllësh sytë për të zgjedhur dikë, prap një “mëkatar” do të kapësh. Sipas tij, janë të gjithë njëlloj.

Nga ana tjetër ortaku i Berishës në opozitë, ish Presidenti, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë Ilir Metaj, po ndjen nga afër “dihatjen” e SPAK, i cili në mos deri në fund të vitit, në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm do të ketë një përgjigjie zyrtare për katër kallzimet penale për të cilat ka filluar hetimi nga ky institucion i drejtësisë së re.

Dhe mes akuzave për abuzim me pushtetin, është dhe një akuzë e kovertuar me një angazhim për hetim të thellë. Bëhet fjalë për lobimin e Metës në emër të LSI, pararendësja e PL, në SHBA. Ashtu sikurse Basha, dhe Meta ende s’ka deklaruar burimin e këtyre parave të financuara për lobim, por dhe paratë e hedhur për rregullimin estetik të të gjithë familjes, bashkë me ish kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.

Bëhet fjalë për skandalin e publikuar dhe nga nga revista amerikane “Mother Jones”, ku përmendet jo vetëm PD, por edhe LSI, e cila në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta. Sipas këtij artikulli në janar 2017, Grupi “McKeon” nënshkroi një kontratë prej 15,000 dollarësh me LSI, për të lobuar në emër të saj në Uashington dhe për të promovuar kreun e kësaj partie, Ilir Meta, asokohe kryetar i parlamentit shqiptar.

Kontrata e “McKeon” me LSI parashikonte që Meta të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trump President dhe të organizonte takime me udhëheqësit kryesorë të DC gjatë festimeve inauguruese. Pas betimit të Trump, sipas kontratës, firma lobuese do të ndihmonte të zhvillonte një marrëdhënie të mira dhe shumë të veçanta me administratën dhe Kongresin.

Kontrata nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët e LSI, por nga një i njohur i një prej anëtarëve të partisë LSI: një avokat me bazë në Athinë i quajtur Iraklis Fidetzis. Një muaj më pas, më 24 mars, Grupi “McKeon” nënshkroi një kontratë tjetër të nënshkruar nga Fidetzis – këtë herë për të lobuar për “Dorelita Limited”, e cila renditi “zyrat e saj qëndrore” në të njëjtën adresë në Athinë si firma ligjore e Fidetzis.

Sipas “Mother Jones”, një burim i njohur me kontratën tha se Fidetzis kishte sugjeruar vijimin e pagesës që Grupi McKeon të vazhdonte të punonte për LSI përmes këtij entiteti të korporatës. Kontrata e re e lobimit, që mbulonte një vit pune, kushtonte më shumë se tre herë atë që Grupi McKeon kishte fituar sipas marrëveshjes së mëparshme me LSI: 50,000 dollarë në muaj, plus shpenzimet.

Por Dorelita doli të ishte një kompani “guaskë” me një qëllim të vetëm: për të siguruar pagesë për lobimin e “McKeon” për LSI. Firma u inkorporua në vitin 2013 nga një avokat grek me emrin Andreas Petrou. Ai drejton një zyrë ligjore në kryeqytetin qipriot të Nikosisë, që krijon dhe administron kompanitë “guaskë”.

Firma thotë se rreth një e treta e klientëve të saj janë rusë. Sipas të dhënave të bizneseve ruse dhe qipriote, firma e Petrou ishte e përfshirë në kompanitë me bazë në Qipro që janë të lidhura me Oleg Deripaska, manjatin e aluminit rus, dhe të akuzuar si njeriu i botës së nëndheshme ruse dhe një oligark që mban hapur anën e Putin. Dy biznese të lidhura me Deripaska kishin selinë në të njëjtën adresë si firma ligjore e Petrou: EN + Corporate Services Limited dhe ACL Aluminium Constructions Limited, ku sipas të dhënave të biznesit të Qipros, Petrou ishte drejtor. Regjistrimet e korporatave ruse tregojnë se Petrou ishte gjithashtu i lidhur me katër biznese të tjera ruse që ishin pjesë e perandorisë së aluminit të Deripaskës.

Pra, që në vitin 2018 janë hedhur dyshime se Moska ka hedhur para në vendin tonë për dy parti të rëndësishme, siç janë LSI, e tranformuar në PL dhe PD-së. Dhe këto dyshime janë tërësisht të vertetuara, pasi dhe LSI ka si financues një oligark rus, paçka se zyrtarët e Metës dhe medias që e mbështesin po mundohen me të gjitha mënyrat që “ta shesin” Oleg Deripaskan te socialistët.
Meta nuk ka zbardhur burimin e financimit, që nuk janë pak por gati 1.2 milionë dollarë, një shumë tepër e madhe për një familje 5 anëtarëshe si ajo Metaj-Kryemadhi, që mbahen me 2 rroga shteti, ndërsa paguajnë 140 mijë euro në vit në shkollat më të shtrenjta të londrës, për shkollimin e fëmijëve. Hanë dhe vetë, bëjnë dhe ndonjë urdhëtim, njëherë në muaj në SHBA, 2 herë në muaj në Britani dhe vende të tjera të “varfëra” të këtij kalibri.

E vërteta e kulluar është se ashtu sikurse Berisha, edhe Meta është tepër i frikësuar nga hetimi që vijon në SHBA nga organet ligjzbatuese për lobimin rus të Bashës. I cili për hir të së vërtetës është një “peshë” e lehtë dhe “masë amorfe” krahasuar me dy “dinozaurët” e politikës shqiptare. Ndaj këta të fundit kanë nisur si punë të parë sulmin ndaj Bashës, dhe së dyti tentativën për të krijuar destabilitet politik në vend, përmes protestave të dhunshme të paralajmëruara. Por dhe përmes akuzave ndaj qeverisë. Fat është se shqiptarët tashmë nuk mund të mashtrohen më dhe të vrapojnë pas të “shkuarës”, ndaj protestat katandisen si ajo e Metës në Sharrë!

Ndërkohë që ajo që vihet re me sy të lirë është se Berisha dhe Meta e kanë “korrektuar” deri në limitet e zeros gjuhën e ashpër kundër SHBA dhe ambasasdores Yuri Kim, Me sa duket janë me zemër të “ngrirë” se çfarë do të vijë nga Uashingtoni dhe për ta, për të pasuar publikimin e hetimit të Bashës si i financuar nga rusët, në raportin e zbulimit amerikan. Të presim!