Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Elbasanit zgjodhi të shtrojë drekë në qendrën sociale Balashe për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato. I shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, drekës iu bashkuan dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri i cili dha lajmin e mirë të miratimit të mbështetjes ekonomike për shtresat në nevojë. “Shumë shpejt si qeveri do të fillojmë dhe paketën e mbështetjes ekonomike përsëri për arsye që ju e dini që rritja e çmimeve, kriza ndërkombëtare ka ndikuar dhe në nivelin e jetesës. Qeveria e ka menduar që të fillojë ta aplikojë direkt në vjeshtë dhënien e mbështetjes financiare për njerëzit në nevojë”, tha ai.

Gjiknuri vlerësoi dhe kontributin e Bashkisë së Elbasanit për ata që janë në vështirësi. “Sot pamë një shembull të mirë. Bashkia e Elbasanit do t’ju vijë në ndihmë familjeve në nevojë dhe me dru zjarri. Do ta japë bashkia me çmim minimal, jo sa e shesin tregtarët. Edhe kjo është një ndihmesë dhe është një politikë e mirëfilltë sociale”, nënvizoi drejtuesi politik i PS për Elbasanin, Damian Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja nënvizoi vëmendjen që kjo qeveri ka ndaj kësaj kategorie.

“Sot është një ditë e shënuar se është Shenjtërimi i Nënë Terezës dhe nuk ka mënyrë më të mirë për t’u përkujtuar se sa me këtë komunitet ku ne jemi ku u shërbejmë gjatë gjithë kohës si bashki mbi 200 personave të cilët janë në nevojë. Ti shërbesh njerëzve në nevojë është primare”, tha kryebashkiaku Llatja.

Qendra Sociale Balashe ofron shërbime ditore të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar. Krahas një vakti të ngrohtë, kjo qendër ofron dhe shërbime të tjera çdo ditë.