Shqipëria do të përballet ndaj Izraelit në transfertë, në atë që quhet finalja e madhe për kuqezinjtë. Vetëm një fitore do të na jepte mundësinë për të vazhduar që të shpresojmë mbi vendin e parë në grup. Shpresa e madhe mbetet te Armando Broja, që vjen nga Chelsea. Por çfarë duhet të përmirësojë ky lojtar para këtij dueli? Në një prononcim mbi këtë temë ka folur edhe Altin Rraklli për “Sport Ekspres”, ndërsa intervistën e plotë do ta gjeni në mbrëmjen e sotme.I pyetur në konferencën për shtyp nëse e ndien presionin e kësaj përballje kaq vendimtare, Broja u shpreh se luan “futboll për qejf” dhe në fund të fundit, është vetëm futboll. Një mentalitet krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar ne më herët, që ka edhe anën e mirë, pasi sulmuesit nuk do t’i “lidhen këmbët” nga emocionet në fushë kur të jetë para portës. Megjithatë Rraklli e ka një këshillë me vlerë.

“Sigurisht, Armando Broja është rritur në Angli, është ndryshe si të jesh rritur në Shqipëri. Nëse e sheh me kujdes lojtarin, duket që ka vet besim të madh. Kjo është gjë shumë e mirë. I vetmi problem që shoh unë te Broja, është fakti që luan te Chelsea. Pra kjo tregon shumë për potencialin e tij, por kur vjen te Kombëtarja, do të tregojë edhe te Shqipëria që është ndryshe nga të tjerët. Forcën e tij e ka në driblimet dhe shpejtësinë, por kur shoku është më i lirë për të shënuar se vetë Broja, duhet të futet në kokën e Brojës, që në atë moment duhet ta pasojë topin sepse në fund të fundit, do të shënojë gol Shqipëria. Me Izraelin mund të vijë edhe një rast gjatë gjithë ndeshjes, duhet ta japësh topin, nuk jemi si në ekipe që të jenë disa mundësi”, u shpreh Rraklli.