Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka tha se nuk ka respekt për ambasadoren amerikane Yuri Kim, pasi sipas tij synimi i saj ka qenë për përçarja e PD-së dhe largimi i Berishës. “Të jem i sinqertë për znj. ambasadore nuk kam asnjë lloj respekti personal, pavarësisht se për fat të keq përfaqëson SHBA. Që nga dita e parë që ka ardhur në Shqipëri, e gjithë puna e saj, e porositur apo me vullnet personal, e porositur nga ata që lobojnë, nga Soros, ka qenë kundër opozitës.

Mendoj që edhe lëvizjet e fundit, takimet me deputetë të veçantë, vajtjen te Meta, janë pjesë e strategjisë së dështuar… Sepse dështoi, historia për ta përçarë PD dhe larguar Berishën, dështoi. Megjithatë duket se kjo ambasadore vazhdon me këmbëngulje. Po dëmton jo vetëm opozitën, por edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me SHBA. Militantët poshtë thonë pse po na sulmon Amerika.

Nëse ka një njeri që po përpiqet të armiqësojë një pjesë të shqiptarëve me SHBA-të jeni pikërisht ju znj.ambasadore. Eshtë në linjën e Soros që kontrollon një pjesë të mirë të administratës amerikane. Edhe kjo puna e parave ruse nuk ka dalë për Bashën, por për vende të tjera. Kemi një sulm të dirigjuar nga Soros ndaj të djathtës në të gjithë Evropën. Nuk është vetëm aleancë me Metën, por me çdo grupim që sot e sheh të domosdoshme që kjo qeveri të largohet një orë e më parë.

Nuk do them shprehjen: të mblidhen qelbësirat për të larguar Berishën, por unë personalisht vet do bashkëpunoja edhe me djallin për të larguar këtë që është më i keq se djalli”, tha Paloka.