Një biletë për të fluturuar nga Moska në drejtim të Beogradit ka arritur deri në 9 mijë euro.

Kështu u shpreh gazetari Idro Seferi për emisionin “Sot” në “Euronews Albania”, përmes një lidhjeje të drejpërdrejtë nga aeroporti i Beogradit.

Ai u shpreh se rreth 30 mijë rusë kanë ardhur në kryeqytetin serb, që pas nisjes së konfliktit me Ukrainën.

“Sot nga bileta nga Moska për në Beograd ka shkuar deri në 9 mijë euro. Serbia është një nga vendet ku ata mund të lëvizin pa viza. Nuk ka aq shumë avionë sa ka kërkesa nga Rusia që të vijnë në Beograd dhe kjo ka bërë që biletet të shiten shumë javë përpara. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, flitet për rreth 30 mijë rusë që kanë zbarkuar në Serbi dhe jetojnë këtu tashmë.

Mund të thuhet që është bërë një Rusi e vogël në Beograd. Një komunitet mjaft i madh, nëpër rrugë dëgjohet gjuha ruse. Ka njerëz që kanë shitur gjithçka që kanë pasur në Rusi. Ka pasur rritje me 300% të qirave dhe shitjeve të apartamenteve në disa zona të Beogradit”, theksoi gazetari.

Rusia po kryen rekrutimet më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendimi për mobilizim i presidentit Vladimir Putin u përcoll me protesta e arrestime në 38 qytete ruse dhe interesim të madh të qytetarëve për për t’u larguar nga Rusia.