Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbajti mëngjesin e sotëm aksion simbolik pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës. Aktivistët kërkuan nga Këshilli Prokurorial të shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

Po ashtu kërkuan heqjen e lëndës së dhunimit të 11-vjeçares nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe kalimin tek Prokuroria Speciale e Kosovës për hetim të mëtejshëm.

Anita Mjeku, aktiviste, tha se përmes këtij institucioni mirëmbahen neglizhentë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen në bashkëfajtorë të krimeve me baza gjinore.

“Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni mbrapa mirëmbahen neglizhentë, seksistë dhe riprodhohen prokurorë e racistë që më pas shndërrohen edhe në bashkefajtorë të krimeve me bazë gjinore”, tha ajo.

Ndërkaq ka shtuar se do të vazhdojnë të protestojnë deri në shkarkimin e prokurorit, Ruhan Salihiu dhe kryeprokurorit Kujtim Munishi./KosovaPress