Nga 1 shtatori në Gjermani është shtrenjtuar sërish benzina dhe nafta për shkak se mori fund paketa e parë e ndihmës për qytetarët. Në të njëjtën kohë shumë qytetarë marrin faturat tani me çmimet shumë të larta të gazit dhe rrymës elektrike.

Ndërsa sipas një sondazhi të mëparshëm të televizionit të parë gjerman, ARD që shërben për matjen e trendeve në Gjermani, Deutschland Trend, shumë qytetarë gjermanë kanë ndryshuar sjelljen ndaj konsumit këto muaj. Sipas të dhënave 70% e të anketuarve kanë pohuar, se kanë filluar të reduktojnë shpenzimin e energjisë- Këta janë më shumë se në prill të këtij viti, kur vetëm 64% kishin filluar të kursenin.

Gati gjysma e të anketuarve, rreth 47% kanë thënë, se po blejnë më pak në të përditshmen e tyre. Kurse më shumë se 50% përpiqen të kursejnë para tek reduktimi i aktiviteteve të kohës së lirë, si për shembull të shkojnë më rrallë në restorant, në kinema apo aktivitete të tjera. Kurse 43% janë shprehur se kanë kufizuar pushimet e vitit.