Një video ka treguar lëvizjet e fundit të Ervis Martinaj, pak para se të zhdukej pa lënë gjurmë e ku askush nuk di për fatin e tij. Videoja e sjellë nga gazetarja Klodiana Lala është filmuar në momentin teksa Martinaj është parë duke u futur në një hotel në qytetin e Durrësit. Ai shoqërohej nga agjenti i Forcave Operacionale, Jeton Lami si edhe me një vajzë të re, që thuhet se është pjesë e showbizit shqiptar. Sipas dosjes, videoja është filmuar në datën 5 gusht në orën 21:15. Lami ka hyrë i pari në hotel, ka rezervuar dhomën në emrin e tij ku ka lënë edhe numrin e telefonit dhe më pas është larguar nga aty, për t’u kthyer të nesërmen e për të marrë me makinë Martinajn dhe vajzën që e shoqëronte. Mikesha e tij ka treguar se kontakti i fundit i Ervis Martinajt ka qenë 7 gushti.

“Hera e fundit që jemi takuar ishte mbrëmja e datës 5 gusht, ku kemi shkuar në një hotel në Durrës. Atë mbrëmje kemi qëndruar ne hotel dhe jemi larguar të nesërmen. Edhe në dy ditët në vazhdim, pra deri më datë 7 gusht kam pasur kontakte me të. Më pas kemi shkëputur çdo komunikim. Me Ervisin jam njohur në fillim të vitit 2022. Nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur më të”, ka thënë ajo. Shfaqja e fundit publike e Martinaj, daton të jetë më 9 gusht në Tiranë, në ambientet e një qendre tregtare pranë Zogut të Zi, vetëm disa ditë pasi ai ishte parë të lëvizte i lirë në Durrës. Ndërkohë që nga data 9 gusht, koha kur ai shfaqet në Tiranë dhe deri më 10 gusht që përkon me kallëzimin për zhdukjen e tij, nuk ka asnjë provë të ekzistencës së tij.

Data 9 gusht është përmendur edhe nga babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinajt. Ai thotë se i afërmi që shërbente si “urë lidhëse”, ka humbur kontaktet me të pikërisht në 9 gusht ku pas orës 19:30 nuk ka qenë më në linjë. Martinaj thotë se nuk ka asnjë dijeni për personat apo vendin ku mund të jetë rrëmbyer. Personi që mbante kontakte me Martinaj, ai tregon se ndodhet jashtë shtetit.

Herën e fundit me Ervisin ka kontaktuar një njeri i afërt. Kontaktet me djalin i kam humbur më datë 9 gusht ora 19:30. Pas kësaj ore, ai nuk ka qenë në linjë. Zhdukja e tij sipas mendimit tim i takon orës 19:30 deri në orën 22:00 të datës 9 gusht 2022. Nuk kam asnjë dijeni për vendin dhe njerëzit që kanë marrë pjesë në rrëmbimin e tij. I afërmi që ka kontaktuar djalin nuk ndodhet në Shqipëri dhe mesa kam dijeni Ervisi nuk ka numër shqiptar. Zanafilla e kësaj ngjarje lidhet me shpalljen e Ervisit në kërkim për krime të trilluara nga Dumani. Sqaroj se ndërprerjen e komunikimit dhe të zhdukjes së djalit i kam marrë vesh nga i afërmi imi i cili jeton jashtë shtetit. Dyshoj se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale”, është shprehur i ati, Mustafa Martinaj.

Referuar dosjes hetimore, xhaxhai i Ervis Martinaj, Faik Martinaj thotë se zhdukja mund të ketë ardhur që pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe përfshirjen e tij më të tjera histori kriminale, duke vënë gishtin te Indrit Dokle. “Unë dyshoj se zhdukja e nipit tim Ervis Martinaj ka lidhje me grupe kriminale dhe individë që i ka përfshirë Nuredin Dumani. Në këtë histori është edhe Indrit Dokle, i cili mund te ketë organizuar gjithçka lidhur me zhdukjen e nipit”, ka thënë ai. Pas kësaj dëshmie është marrë në pyetje Dokle, i cili ka mohuar të ketë lidhje me zhdukjen e Martinajt. “Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj”, ka thënë ai.

Një nga pistat kryesore të hetimit është ekzekutimi i tij. Kjo përforcohet nga një dëshmi që ka mbërritur në Komisariatin e Kurbinit në datën 10 gusht 2022. Në dosje thuhet se Komisariati i Kurbinit ka marrë informacion nga një burim konfidencial se Martinaj i datëlindjes 6 tetor 1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Kurbin, dyshohet se është rrëmbyer dhe ekzekutuar nga kundërshtarët e tij pasi është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë nga një femër. Dyshimet janë se Martinaj mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe më pas të jetë vrarë nga persona të paidentifikuar.

Gjithashtu, ditën e sotme u publikua edhe foto e makinës së braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj. Makina luksoze u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës e ndërsa që nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjetit. Ajo se çfarë ka ndodhur mbetet ende mister. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se policia ka një përgjigje dhe se shumë shpejt do të flitet me prova. Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.