Më shumë se katër vite pas fitores së famshme të Zvicrës ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror që u mbajt në Rusi në vitin 2018, Valon Behrami është rikthyer të flaës për të. Ai në një intervistë për gazetën zvicerane, Blick, deklaroi se festa me shqiponjë e Shaqirit dhe Xhakës ishte marrëzi.

“Unë ende e urrej këtë temë edhe sot e kësaj dite. Është futboll, jo politikë. Ky gjest nuk ka vend në fushën e futbollit, ishte marrëzi. Ne nuk po luajmë në luftë. Në Kosovë më akuzuan se nuk mora pjesë në gjest. Lojtarët serbë janë miqtë e mi, ata kanë lindur pas luftës. Kjo është arsyeja pse ata thjesht duhet të luajnë futboll në këtë Botëror dhe të injorojnë gjithçka tjetër”, tha Behrami për Blick.

E kjo deklaratë ka zënë vend edhe në mediat serbe. Kurir dhe B92 raportojnë se si Behrami ishte korrekt duke mos festuar me shqiponjë.

“Shqiptari zviceran dënoi Xhakën dhe Shaqirin për gjestin ndaj Serbisë”, ishte titulli i B92. Ndërkohë, Kurir në titull e kishte se si Behrami i quajti miq futbollistët serbë.