Bayern ishte dhe mbetet një tabu e madhe për Barcelonën. Nuk ka efekt as Robert Lewandowski, personazhi kryesor i kësaj përballje, “bomberi” polak del kokë ulur nga stadiumi ku fitojë gjithçka, Neuer dhe jo vetëm i mohuan kënaqësinë e golit. Ndryshe nga kampionati, në Champion bavarezët janë thjesht perfekt, 2 ndeshje 2 fitore, 4 gola të shënuar asnjë i pësuar. Bayern merr menjëherë kreun e Grupit C, janë ata favoritët kryesorë.

Në fakt, Barcelona zbriti në “Allianz Arena” shumë e karikuar, s’postuan Bayern në gjysmëfushë duke krijuar disa raste të pastra për gol. Manuel Neuer ishte pa diskutim lojtari më i mirë në fushë për Bayern, duke ndalur fillimisht Pedri e më pas Lewandowskin. Sulmuesi polak kishte një tjetër rast të pastër, i pa shqetësuar në zonë, dërgoi topin mbi traversë.

Situata u përmbys me fillimin e pjesës së dytë, ku në rastin e parë, në goditjen e parë nga këndi, Lucas Herandez me kokë kaloi Bayern në avantazh. Të përgjumur totalisht në mbrojtje, Bayern përfitoi në maksimum nga një keq vendosje e Barcelonës, ku katër minuta më pas, Sane me një aksion personal fantastik mposhti Ter Stegen duke dyfishuar shifrat. Barcelona u përpoq të rikthehej në lojë, madje Pedri goditi dhe shtyllën pingule, por vetëm kaq, në fund feston sërish Bayern me gjigandët gjermanë që respektojnë traditën përballë Barcelonës.

“Çfarë mëkati”, shkruan Sport në faqen e parë. “Kokën lart”, ishte titulli i përzgjedhur nga Mundo Deportivo. Të dy të përditshmet spanjolle vlerësojnë lojën e shfaqur nga ekipi i Xavi në këtë transfertë.