“Bota është në rrezik të madh dhe e paralizuar”, me këtë deklaratë tronditëse e hapi të martën sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres. Mesazh ky i paraprirë edhe në një video-mesazh të shkurtër nga ish shefi i komunikimit në fondacionin e OKB-së, Rajesh Mirchandani që tregon parimet që qëndrojnë në themel: Fjalë dhe jo armë.Me hapjen e Asamblesë, Guterres u ra kambanave të alarmit për krizat e shumta globale, në organizmin e jashtëzakonshëm, të liderëve të botërorë, që nuk mblidheshin fizikisht që prej rënies së pandemisë e aq me tepër kur një luftë e madhe po zhvillohet në Ukrainë prej 7 muajsh. “Ndarjet po thellohen më shumë, pabarazitë janë duke u zgjeruar, sfidat po përhapen, ne kemi nevojë për shpresë… kemi nevojë për veprim”, tha ai.

“Shihni këtë anije që transmetoi grurin ukrainas. Ajo lundroi në Detin e Zi me flamurin e OKB-së të valëvitur lart dhe krenar. Në thelb, kjo anije është një simbol i asaj që bota mund të arrijë kur ne veprojmë së bashku. Ukraina dhe Federata Ruse, me mbështetjen e Turqisë, u bashkuan për ta realizuar atë, pavarësisht kolektiviteteve të mëdha, kundërshtive dhe madje ferrit të luftës. Kjo është diplomaci shumëpalëshe në veprim”, tha Guterres.Duke paraqitur Raportin e tij Vjetor për Punën e Organizatës, Sekretari i Përgjithshëm tha:

“Të mos kemi iluzione. Jemi në det të trazuar. Një dimër i pakënaqësisë globale është në horizont. Një krizë e kostos së jetesës është duke u ndezur. Besimi po shembet. Planeti ynë po digjet. Njerëzit po lëndohen, me vuajtjet më të prekshme. Karta e Kombeve të Bashkuara dhe idealet që ajo përfaqëson janë në rrezik”, u shpreh Guterres.Shefi i OKB-së foli për luftën në Ukrainë, urgjencën klimatike, situatën e rëndë financiare të vendeve në zhvillim dhe hapat pas në objektivat e OKB-së si eliminimi i varfërisë ekstreme dhe arsimi cilësor për të gjithë fëmijët.Ai tha se përçarjet politike po zhvlerësonin punën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ligjin ndërkombëtar, besimin e njerëzve në institucionet demokratike dhe të gjitha format e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Realiteti është se ne jetojmë në një botë ku logjika e bashkëpunimit dhe dialogut është e vetmja rrugë përpara. Ne kemi nevojë për një koalicion të atillë, i cili duhet të kapërcejë ndarjet dhe të veprojë së bashku, duke filluar me forcimin e misionit thelbësor të Kombeve të Bashkuara, arritjen dhe ruajtjen e paqes. Ne po shohim kërcënimin e ndarjeve të rrezikshme midis Perëndimit dhe Jugut”, shtoi më tej ai. “Le të zhvillojmë zgjidhje të përbashkëta për problemet e përbashkëta, të bazuara në vullnetin e mirë, besimin dhe të drejtat e përbashkëta nga çdo qenie njerëzore. Le të punojmë si një, si koalicion i botës, si kombe të bashkuara”, përfundoi Guterres fjalimin e tij.