Kriza energjetike e kthyer tashmë në një shqetësim për të gjitha shtetet europiane ka marrë vëmendjen edhe të aleatëve më të ngushtë të NATO-s dhe të SHBA. Pas një takimi të zhvilluar në selinë e Aleancës Atlantike të Veriut në Bruksel, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë premtoi mbështetje.

“Ne nuk do t’i lëmë miqtë tanë evropianë në të ftohtë. Kjo është koha për të zgjedhur: Të lini pas varësinë nga energjia ruse, të cilën Moska nuk do të ndalojë kurrë ta përdorë si shantazh, dhe të vazhdoni me tranzicionin energjetik. Në këtë moment ne nuk e shohim gatishmërinë e Rusisë për të rifilluar diplomacinë. Uniteti ynë është thelbësor për arritjen e qëllimeve: rritjen e presionit ndaj Rusisë dhe sigurimin që Ukraina të jetë në një pozicion më të fortë kur të fillojnë negociatat, duke pasur parasysh se lufta do të përfundojë kur të ketë një marrëveshje mes Kievit dhe Moskës”.

Blinken parashikoi konflikt të gjatë Rusi-Ukrainë, ndërsa tha se shenjat e para të kundërofensivës ukrainase janë pozitive, pasi forcat e armatosura të Kievit po bëjnë përparim të prekshëm, në Kherson e Kharkiv.

“Ukraina i ka rezistuar goditjes dhe tani po përgjigjet, sigurisht falë ndihmës sonë sepse lufton për lirinë”, tha Blinken, në selinë e NATO-s në Bruksel.