Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në takimin e zhvilluar në Durrës në përmbyllje të sezonit turistik veror, i cili ishte sezoni më i mbarë për sa i takon fluksit të turistëve të huaj, të ardhurave dhe pastërtisë së hapësirave publike.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “ Rritja e pranisë së sipërmarrjeve favorizon drejtpërdrejt ekonominë familjare, prodhuesve vendas, të gjithë asaj pjese të ushqimit që vjen nga femra shqiptare, të konsumit. Këto struktura sjellin një tjetër lloj turizmi nga ai që vjen vetëm për të kaluar një ose dy ditë ose ai me bukë me vete. Për të gjithë ata që flasin për një punësim , këto struktura i paguajnë punonjësit me paga që janë mbi mesataren edhe për punët më të thjeshta. Hoteleria kërkon kapital intensiv në fillim dhe durim vit pas viti për të nxjerrë fitime.

Kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave edhe për ne vetë që ishim të përgatitur për të pasur një sezon më i mirë se ai i një viti më parë, vetëm në 6 muajt e parë të vitit kemi kaluar 1 miliardë të ardhura në ekonomi nga turizmi, pothuajse dyfishin e një viti më parë. Deri në gusht vizitorët e huaj në vendin tonë kanë qenë 5,6 milionë, 1,3 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara nga veriu në jug dhe një prurje të madhe për zonën veriore falë investimeve në pikat e veriut dhe një turizëm në disa qytete si Tirana, e cila ka pasur një bum turistësh.”

“Kur ne kemi nisur punën turizmi kishte 4% kontribut në ekonominë e vendit, sot pjesëmarrja e këtij sektori është 17% në volumit ekonomik shqiptar. Kemi qenë një vend, dhe kjo vazhduar për disa vite, që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim në mediat e huaja si një vend i ndotur. Sot Shqipëria bën lajm për të kundërtën, në të gjithë mediat e rëndësishme të huaja, Shqipëria është midis vendeve që rekomandohen, ky është një ndryshim epokal.

Ne kemi pasur një sezon jo vetëm më të pastër se asnjëherë, por një sezon realisht të pastër, duke filluar nga Tirana, të gjitha përshtypjet e anketuara nga vizitorët fillojnë me pastërtinë. Sot ne kemi mundësinë ta shikojmë Shqipërinë e 2030, si një potenc turistike në rajon, sepse investimet që po bëhen e mundësojnë këtë ambicie” tha Kryeministri.