Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zv/kryeministrja Belinda Balluku tha sot se marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, me qeverinë e Serbisë në fushën e minierave dhe energjisë zgjeron bashkëpunimin mes dy vendeve tona në këto dy sektorë të rëndësishëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Balluku tha se kjo marrëveshje vjen si rezultat i një sërë diskutimesh të nisura që prej muajit korrik në Tiranë përmes grupeve të përbashkëta të punës.

“Sa i takon minierave, fokusi është tek rezervat tona të qymyrit si dhe hartimin e një mekanizimi lidhur me shfrytëzimin e tyre, ndërkohë që sektori energjetik i referohet projektit të terminalit LNG në Vlorë, e cila gjithmonë e më qartë po shihet si një zgjidhje për të garantuar sigurinë e furnizimit në Shqipëri e rajon”, tha Balluku.