Festivali i Dizajnit rrethor, shënoi përgjatë javës që lamë pas një maratonë aktivitetesh. Workshope, panele diskutimi, ide novative që bashkuan një sërë partnerësh vendas, ambasadën e Suedisë, atë të Holandës dhe partnerët e Bashkimit Evropian për të krijuar një platformë solide, për transformimin e mbetjeve në Eco Dizajn.

“Më entuziazmon ideja që ne po fillojmë këtë Festival, për arsye se është një fillesë për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese, por edhe tepër e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Evropë”, thotë ambasadori i Holandës, Reinout Vos.

“Ky Festival i Dizajnit Rrethor është pikërisht ajo që duhet të bëhet në Shqipëri, dhe këtu spo flas veç për ne si ambasadë, por veçmas për të gjithë komunitetin dhe shqiptarët”, thotë ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad.

Informim, promovimi i bizneseve dhe artizanëve që aplikojnë idetë e dizajnit ekologjik, Festivali solli koncepte të reja të mbrojtjes së ambientit, duke aplikuar metodat e ekonomisë qarkulluese dhe “dizajn thinking”.

Festivali i Dizajnit Rrethor u përmbull këtë të dielë me Eco Fashoin Show në Parkun Rinia. Prej 2013-ës kur u krijua, sfilata shënonon tanimë një traditë. Ngjarja që synon të ndërgjegjësojë për riciklimin e materialeve të përdorura, erdhi këtë vit edhe më gjithëpërfshirëse.

“Në fakt qëllimi primar i këtij eventi është edukues, por ka edhe synim promovues. Sigurisht që ne, që kur kemi nisur në vitin 2013 nuk kemi pasur limite. E gjitha kjo është bërë që të gjithë pjesëmarrësit edhe të ndërgjegjësoheshin përmes këtij aktiviteti”, thotë Rajmonda Zajmi, organizatorja e Festivalit.

Aktorë shqiptarë nga kryeqyteti, rrethet e deri edhe me pjesëmarrjen e të rinjve si Muamedija nga Maqedonia, harmonizuan materiale të dobishme e estetike, duke prodhuar veshje për në përditshmëri, dizajne skenike, stilime nga më kreativet, e gjitha duke shpenzuar pak dhe mbrojtur mjedisin nga mbetjet. Qese, riciklim fijesh, thasë argjil, lule artificiale, materialet e përdorura ishin të larmishme. Adelina Përleka nga Rrësheni solli artizanatin me ekologjiken, Albina Vaka luajti me ripërdorimin e xhinsit si dhe element të tjerë, ndërsa pedagogia nga Vlora Kozeta Halili solli një koleksion kreativ ku kishte përdorur thasë të kompanive të kafeve .

Meliha Zyberaj përfaqësoi grupin e grave artizane të Vaut të Dejës, duke dhënë edhe mesazhin e fortë se rimëkëmbja e artizanatit mund të ishte një mundësi më shumë për frenimin e emigrimit, por edhe rivlerësimin e traditës. Të tilla mesazhe sensibilizuese dhanë edhe stilistet e tjera pjesëmarrëse në garë si Genta Prodania apo Ina Tuti, që guxoi me veshje ekstravagante. Sfilata u përmbyll me tri çmime të para “Eco Youth” (nga Goethe-Zentrum Tirana), “Eco Creative” dhe “Eco Design”. Tanimë me më shumë partner të përfshirë, Festivali i Dizajnit Rrethor, vijon misionin për mbrojtjen e ambientit, deri në ritakimin e ardhshëm në 2023-shin.