Shtetet e Bashkuara s’do i njohin kurrë përpjekjet e Rusisë për të aneksuar territorin në Ukrainë, është shprehur presidenti amerikan Joe Biden. Ai bëri deklaratën përpara një fjalimi që do mbajë të premten Vladimir Putin, i cili do të deklarojë se katër rajone të pushtuara të Ukrainës do t’i bashkohen Rusisë. Kremlini thotë se Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson mbështetën aneksimin në referendumet pesë-ditore.

Të ashtuquajturat vota janë dënuar nga ndërkombëtarët që i kanë cilësuar një mashtrim. SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë si rezultat i aneksimit. “Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t’i njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës”, tha Biden. Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete që njohin Zaporizhzhia dhe Kherson si territore të pavarura, duke hapur rrugën për aneksimin e tyre. Dokumentet, të shpërndara në mediat shtetërore ruse, thonë se pavarësia e dy rajoneve po njihet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe “të sanksionuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka thënë se çdo aneksim i territorit të një vendi bazuar në përdorimin e forcës shkel Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. “Është një përshkallëzim i rrezikshëm që nuk ka vend në botën moderne”, tha ai. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vendosë se si do i përgjigjet Putin në një takim urgjent të këshillit të tij të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes të premten. Sekretari i këshillit Oleksiy Danilov tha se do të merren “vendime të rëndësishme, themelore për vendin tonë”, por nuk dha detaje.

Asnjë nga katër rajonet e pushtuara që Rusia synon të inkorporojë nuk është nën kontrollin e saj të plotë. Ajo mund të pretendojë vetëm për 60% të Donetsk, ndërsa kryeqyteti rajonal i Zaporizhzhia mbetet në duart e Ukrainës. Ndërsa ukrainasit nxituan për të nxjerrë të afërmit e tyre nga zonat e pushtuara të rajonit të Zaporizhzhia, raketat goditën një kolonë civile me makina në periferi të qytetit kryesor. Guvernatori ukrainas tha se 23 civilë ishin vrarë dhe 28 të tjerë u plagosën në sulmin rus. Dy kolona me makina u goditën dhe trupat e dy grave shiheshin në tokë.