Akademia e Forcave të Armatosura, Fakulteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë ofron për herë të dytë në vitin akademik 2022-2023, programin e ciklit të dytë të studimeve, Master profesional në Siguri Kibernetike në Fushën e Mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa fton të gjithë të rinjtë të aplikojnë shprehet se, “kjo është një mundësi fantastike për vijimin e studimeve universitare në një nga fushat më prestigjoze dhe më të lakmuara të momentit”.

Aplikimi dhe përzgjedhja për ciklin e dytë të studimeve master profesional do të zhvillohet nga data 3-7 tetor 2022, ndërsa pas përfundimit të të gjithë procesit të përzgjedhjes studimet do të nisin më 1 nëntor.

Ky program studimi ka për qëllim të formojë gjeneratën e re të profesionistëve ushtarakë dhe civilë, të cilët do të përfitojnë njohuritë e duhura dhe eksperiencat për të zhvilluar sisteme më të sigurta kompjuterike.