Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias zhvilloi sot një bisedë telefonike me përfaqësuesin e BE Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi. Nëpërmjet një postimi në Twitter ministri grek bën me dije se shkëmbeu pikëpamje me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak për situatën aktuale në dialogun Kosovë-Serbi dhe për zhvillimet më të gjera në Ballkanin Perëndimor. “Në një bisedë telefonike më herët kemi shkëmbyer pikëpamje me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak për situatën aktuale në dialogun Beograd-Prishtinë dhe për zhvillimet më të gjera në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Dendias në Twitter.

Ndonëse pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, “mbetet i pandryshuar”, Greqia e mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst, e mbështet edhe procesin e liberalizimit të vizave. Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja. mMë 15 prill, gjatë një takimi me Aliferin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që Greqia t’i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.