Pas përfundimit të rrugës Bogë-Theth, po përmirësohet edhe aksi rrugor Theth-Ndërlysaj, duke zgjeruar më tutje hartën turistike të Thethit dhe luginës së lumit Shalë.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje të punimeve në këtë aks.

Projekti parashikon ndërhyrje tërësore që mundësojnë lehtësimin e lëvizjes së automjeteve. Gjithashtu, në pjesët piktoreske të rrugës do të vendosen tabela treguese për të orientuar turistët e shumtë që frekuentojnë Parkun Kombëtar të Thethit.

Me rikonstruksionin e rrugës dhe me mirëmbajtjen permanente të saj pritet që të rritet numri i turistëve vendas dhe të huaj të cilët do të kenë mundësi të frekuentojnë zonën edhe gjatë muajve të dimrit, duke nxitur kështu zhvillimin ekonomik në tërësi.

Rruga Bogë-Theth, tashmë e përfunduar, kalon në një nga zonat malore më piktoreske të Malësisë së Madhe, duke mundësuar aksesin në Parkun Kombëtar të Thethit, i cili është shndërruar në një destinacion të preferuar të turistëve vendas dhe të huaj të apasionuar pas turizmit malor.

Vetë fshati i Bogës shquhet për shtëpitë karakteristike alpine dhe është një fshat turistik shumë i preferuar nga banorët e Shkodrës në stinën e verës.