Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi bombardimet e fundit ruse që synojnë qytetin jugor të Ukrainës, Mykolayiv, duke njoftuar se ushtria e vendit të tij do të hakmerret.

“Një nga bombardimet më brutale të Mykolayivit dhe rajonit ndodhi sot”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të përditshëm me video duke shtuar se “asnjë sulm rus nuk mbetet pa përgjigje nga zyrtarët tanë ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete”.

”Trupat ruse aktualisht po zhvendosen nga lindja e Ukrainës në Kherson dhe Zaporizhya të pushtuara, në jug të vendit”, tha Zelensky.

“Por, kjo nuk do t’i ndihmojë ata”, shtoi ai.

Më herët, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës kishte raportuar se trupat ruse po transferoheshin në zonat e kontrolluara nga Rusia në jug të Ukrainës.

Deri tani, Moska nuk ka komentuar mbi zhvendosjet e mundshme.