Michael Schumacher po jep shenja të përmirësimit, gati 10 vjet pas aksidentit të rëndë që e pësoi derisa ishte duke skijuar në alpet franceze. Legjenda e Formula 1 ishte në gjendje kome për disa muaj, ndërsa më pas qëndroi për disa vite pa pasur përparime të mëdha. Sidoqoftë, gjendja e tij shëndetësore u mbajt sekret në mënyrë rigoroze nga familja e tij.

E në javët e fundit po ka freskime të lajmeve të gjendjes së shtatë herë kampionit të botës në sportin me plot adrenalinë, shkruan mediumi britanik “The Mirror”. Sipas një miku të afërt të Schumit, ish-piloti gjerman ka qarë kur e ka dëgjuar zërin e familjarëve për herë të parë dhe kur i shikoi bukuritë e natyrës, respektivisht malin, nga shtëpia e tij në Gjenevë të Zvicrës.

Bashkëshortja e tij, Corinna, ditë më parë me lot në sy tha se Schumi tash “është më ndryshe”. Ditë më parë, ish-presidenti i Formula 1 dhe i Ferrarit, Jean Todt kishte thënë se nuk i mungon Schumacheri pasi ata rrinë bashkë dhe i shikojnë së bashku garat e Formula 1. Dje u raportua se legjenda gjermane ka qarë edhe kur i ka parë garat e sportit që e deshi më së shumti. Shpresojmë që gjendja e Schumacherit të përmirësohet dhe ta shijojë jetën pas karrierës së lavdishme në Formula 1.