Pas njoftimit të qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për masat e reciprocitetit, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se lufta më e vështirë politike është përpara, në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ai falenderoi serbët në Kosovë për vetëpërmbajtjen e tyre, përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, dhe po ashtu Ministrinë e Jashtme ruse për reagimin.

“Po punojmë për qetësim të situatës. Sado e vështirë të jetë, nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”, the Vuçiç gjatë një interviste për televizionet vendase.

Ai deklaroi se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsilloviç, është takuar me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe se kanë shkëmbyer informacione, pasi, siç tha, gjatë mbrëmjes ka pasur shumë dezinformata.
Presidenti i Serbisë, po ashtu theksoi se pret që situata të shtensionohet në vazhdim.