Koncerti i madh “Alpha Show”, pati një numër rekord shitjesh të biletave me 15 mijë pjesëmarrës në sheshin Nënë Tereza. Por vëmendjen e organizatorit të koncertit madhështor, Rigels Rajkut (Noizyt), e kanë marrë veçanërisht dy fansa.

Reperi ka publikuar një video në profilin e tij në Instagram, të dy të rinjve me aftësi të kufizuara, të cilët ishin në shesh për koncertin “Alpha Show”. Të rinjtë e publikuar nga Noizy, të cilët ishin në karrige me rrota, kishin shkuar për të ndjekur koncertin në shesh ku kanë shijuar atmosferën që u krijua.

Pëmres këtij postimi Noizy dhe edhe lajmin e rëndësishëm se vitin e ardhshëm “Alpha Show” do të ketë një vend të posaçëm për personat me aftësi të kufizuar.

“Çka bëmë ne krejt u pa ❤️🫂 vitin tjetër në @noizy_alphashow do bëjmë një vend special apostafat për njerëzit me aftësi të kufizuara.”– shkruan Noizy krahas postimit, i cili ka marrë mjaft komentet nga fansat dhe ndjekësit e tij.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Noizy e cilësoi koncertin si një ëndërr të bërë realitet tashmë me një numër të madh prej 15 mijë pjesëmarrësish dhe shitjen më të lartë të biletave për herë të parë në Shqipëri.

Ai e cilësoi si natën më të bukur dhe ndoshta më të rëndësishme të karrierës së tij.

“S’e dija sa ka qenë rekordi i biletave të shitura më parë, por mora vesh që është tejkaluar numri dhe ndihem mirë se atmosfera ishte në kulm. Të ftuarit janë njerëz me të cilët kam bashkëpunuar. mund të them se është nata më e bukur e karrierës sime. Kisha një staf të gjerë nga prapa që u mor me çdo detaj. Kanë qenë 200-300 veta që u angazhuan, kemi që në shkurt që merremi me organizimin e tij”, tha reperi.

Çdo koncert gjigand sidomos si ky i reperit ka nevojë për sponsora të mëdhej dhe të mbulojnë çdo shërbim të mundshëm. Reperi ka zbuluar se në fakt ai ishte vetë sponsori gjeneral i gjithë koncertit dhe kostoja ishte mbi gjysmë milioni euro, një shifër që artisti e kishte parashikuar.

“Ishte një shifër mbi gjysmë milionë euro, isha sponsor gjeneral vetë se nuk kishte njëri ta merrte përsipër. Ideja është që nëse nuk vjen me shifrën e duhur, më mirë mos e bëj. E vendosa nga fillimi që ato lekë do t’i investoja. Nuk prita që gjatë rrugës do nxjerr dhjamë nga pleshti, i quajtura të humbura ato para pavarësisht si do shkonte”, tregoi Noizy.