Akuzave të Ilir Metës se e ka bërë Tiranën të pajetueshme, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i është përgjigjur sërish sot gjatë një inspektimi në shkollën ‘Bashkim Fino’ në kryeqytet.

“Kanë nga ata që e quajnë veten çuna të pazarit dhe e kanë nostalgji për Tiranën e fuksave dhe ngatërrojnë Tiranën me Kabulin. Por realiteti është ky, që siç erdhën këta nga qytete të tjera e ndërtuan jetën në Tiranë ku lindëm ne të dy, kështu do ofrohet dhe jeta në tiranë për këta studentë që janë këtu, 9 nga 10 do rrinë në Tiranë, s’do kthehen në qytete tjera.

Është pa sens ta ngatërrosh Tiranën me Kabulin, kur ke hallin e ish sigurimit, por është racizëm të thuash që kjo Tiranë po na mbyt, kur vetë je histori suksesi në këtë Tiranë, u bëre Kryeministër, President. U hap për ty Tirana, u hap për të tjerët”, ka thënë Veliaj gjatë një inspektimi në shkollën ‘Bashkim Fino’ në kryeqytet.

Veliaj tha se edhe ata politikanë që edhe 30 vite i kanë patur të gjitha detyrat e shtetit, të mësojnë nga emri Bashkim Fino, “që na bëri bashkë në ditët më të vështira, ndërsa sot edhe pse jemi në ditët më të mira dhe ka njerëz që duan të na përçajnë, kjo ska për të ndodhur. Sa kohë do i japim fëmijëve shkollat më të mira, sdo kemi më fuksa”.