Ka mbërritur nga Ukraina në pjesën e jashtme të portin e Durrësit anija “Jaohar Ranim” me 6 mijë ton grurë. Anija u furnizua me grurë në portin Izmail të Ukrainës disa ditë më parë, në bazë të një marrëveshje të arritur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, për t’i lejuar kësaj të fundit eksportimin e stokut të grurit të bllokuar nëpër depo për shkak të luftës. Në Ukrainë ka disa disa miliona tonelata grurë të bllokuara, e që presin të shpërndahen në të gjithë globin.

Anija u ankorua në kalatën nr. 2 të portit të Durrësit paraditen e sotme, ku është edhe destinacioni final. Gruri ka mbërritur në vend për llogari të një kompanie mielli në Shqipëri. Nga Deti i Zi, Odesa, u deshën disa ditë që anija të mbërrinte, me një ndalesë në një port turk.

Pritet të fillojë shpërndarja e ngarkesës, ku anija mund të qëndrojë në port për rreth 3 ditë, deri në përfundimin e procesit. Janë vënë në dispozicion dy anije dhe një numër i madh automjetesh që bëjnë transportin e ngarkesës. Pas kësaj priten edhe anije të tjera me drithëra në Durrës nga Ukraina, por kjo varet nga marrëveshja Ukrainë – Rusi.

Muaji shkurt është muaji i fundit ku një anije me grurë nga Ukraina ka mbërritur në Durrës për importuesit shqiptarë të miellit.

Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra, mirëpo falë një marrëveshjeje Rusi – Ukrainë të ndërmjetësuar nga Turqia, Ukraina ka nisur sërish eksportin e mijërave tonë drithëra. Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit.