Tre gola në 26 minuta. Një penallti, një goditje me kokë dhe një gjuajtje me të majtën. Charles de Ketelaere ka shkëlqyer në provën e fundit para kampionatit të Milan-it.

Ish-lojtari i Bruges ka mahnitur të gjithë duke shpalosur repertorin e tij në miqësoren e fituar 7-1 nga kuqezinjtë kundër Pergolettese (Seria C).

Talenti belg, i kërkuar dhe i ndjekur me ngulm nga Maldini dhe Massara, ka zbritur në fushë si titullar në rolin e fantazistit dhe në më pak se 30 minuta i ka dhënë një mesazh të qartë Pioli-t dhe popullit kuqezi.

Është i motivuar dhe është gati të debutojë në Serinë A kundër Udinese-s. Përveç tregolëshit të CDK kanë shënuar edhe Lazetic (dygolësh), Pobega, dhe Adli.

Pioli ka dashur të provojë edhe disa futbollistë të rinj, mes të cilëve edhe i Hugo Cuenca, 17 vjeç, që pak ditë më parë ka nënshkruar kontratën e tij të parë si profesionist.