Mjafton të ecësh rrugëve të Tiranës, për të kuptuar se i nxehti nuk i pengon turistët e huaj të ndalen edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, e të mos mjaftohen vetëm me bregdetin.

Në pikat turistike, por edhe në rrugicat më larg qendrës së kryeqytetit, ka turistë nga vende të ndryshme të botës, të interesuar të njohin Tiranën. Të organizuar në grupe por edhe invidualisht, turistët i gjen pothuaj në çdo orë të ditës duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore apo dhe thjesht duke shijuar ushqimin tradicional e duke u bërë foto ndërtimeve të reja.

Në Tiranë mund të gjesh pothuaj të gjitha format e turizmit, nga ai kulturor, historik, arkitekturor e kulinar, e deri te turizmi malor, të cilin e gjen duke udhëtuar për pak minuta larg zonës urbane.

Numri i turistëve ka ardhur gjithnjë në rritje, kjo falë edhe eventeve të ndryshme të organizuara në kryeqytet, sportive dhe artistike, të cilët kanë sjellë vizitorë të huaj si edhe nga trevat shqipfolëse.

Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit e cila u rihap në qershor 2016 pas rikonstruksionit të kryer, Shtëpia me gjethe, Bunkart1&2, sheshi “Skënderbej”, Pazari i ri, Kalaja edhe shumë pika të tjera për t’u vizituar.

Lonely Planet si dhe platforma të tjera dhe website turizmi, e përshkruajnë Tiranën si një vend intrigues, të këndshëm, me gjallëri dhe unik. Reliket e regjimit të vjetër sfidojnë ndërtimet e reja me ngjyra. /ATA