SPAK nuk ka kërkuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vetëm kopje të formularit të dekriminalizimit të plotësuar nga Ilir Meta.

Në një shkresë të dytë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar KQZ-së të detajuara bilancet financiare të LSI-së ndër vite.

Kjo kërkesë lidhet me hetimin e nisur nga SPAK ndaj Ilir Metës pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.

Burimet e Gazetës Si thonë se bashkë me bilancet e pasqyrat financiare të LSI-së janë kërkuar edhe raportet e auditimit të kryera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndër vite për këto bilance.

Këto dokumente janë marrë nën dyshimet se LSI nuk ka deklaruar në KQZ-së shuma të konsiderueshme parash që janë shpenzuar në SHBA për lobim. Ilir Meta deklaron se gjithçka është transparente dhe e verifikueshme në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.

Por, në kallëzimin e dorëzuar nga Halit Valteri thuhet se LSI nuk ka deklaruar në KQZ një shumë prej rreth 200 mijë eurosh që është shpenzuar për lobim në Uashington në vitin 2016. Gjithashtu, në të njëjtin kallëzim ngrihen dyshime se Ilir Meta dhe LSI kanë përdorur një kompani guackë të regjistruar në Qipro për të kryer pagesa lobimi në SHBA në 2017-n. Sipas kallëzimit, shifra e paguar nga kompania “Dorelita Limited” shkon mbi 600 mijë euro.

Veç kësaj, SPAK u është drejtuar edhe bankave të nivelit të dytë për informacion në lidhje me llogaritë e LSI-në në to. Informacioni kërkohet të paktën nga viti 2010 deri në vitin 2021. Prokuroria e Posaçme u kërkon bankave që t’i vendosin në dispozicion të dhëna të detajuara në lidhje me gjendjen e llogarive në periudha të caktuara kohore, transfertat e kryera dhe derdhjet e regjistruara si kontribute të anëtarësisë.

Nisur nga këto të dhëna, SPAK po heton Ilir Metën për korrupsion, ndërsa hetimi tjetër lidhet me falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Akuza e falsifikimit niset nga fakti që në gjendjen civile, ish-Presidenti Ilir Meta rezulton me mbiemrin ‘Metaj’, ndërsa dekretet presidenciale dhe dokumente të tjera që ka firmosur ndër vite si politikan e zyrtar janë me mbiemrin ‘Meta’.

Për këtë arsye, SPAK ka kërkuar fillimisht më 8 gusht nga gjendja civile certifikatën e Ilir Metës, ku rezulton, sipas një dokumenti të publikuar nga Monika Kryemadhi me mbiemrin ‘Metaj’. Kërkesa tjetër është dorëzuar në KQZ për formularin e dekriminalizimit për të krahasuar nëse mbiemri është i njëjtë si në këtë formular, ashtu edhe në certifikatën e gjendjes civile. Nëse emri nuk përputhet, atëherë ndaj Ilir Metës mund të ngrihet zyrtarisht akuza e falsifikimit të dokumenteve.