Shtatë persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë në qytetin e Jerusalemit. Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:24 me orën lokale, ku disa persona të armatosur kanë hapur zjarr në drejtim të një autobusi dhe një parking makinash pranë Murit historik Perëndimor. Shërbimi i ambulancës, Magen David Adom (MDA), tha se dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një zëdhënës i policisë tha për mediat lokale se sulmi po trajtohet si një sulm i dyshuar terrorist. Policia ka nisur një kërkim për personat e armatosur, të cilët u larguan pas sulmeve. Ende nuk dihet se nga sa persona u organizua sulmi, por sipas mediave vendase policia është në kërkim të dy autorëve të dyshuar.

Times of Israel raportoi se një sulmues kishte pritur që autobusi të ndalonte dhe më pas kishte hapur zjarr ndaj tij, teksa pasagjerët po hipnin.