Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pas akuzave të opozitës në lidhje me vdekjen e 7-vjeçares Jonada Avdia në Himarë.

Reagimi vjen pas akuzave të një dite më parë të kreut të PD, Sali Berisha, që e lidhte emrin e tij me një kompani mjetesh lundruese.

Çuçi shprehet se Shoqata e Velierave Sportive që ka krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone.

Reagimi i plotë:

Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone. I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.

Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.

Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij.