Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë të enjten se është koha të ecet përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në një postim në Twitter, Borrelli ka shkruar se pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në takimin e sotëm në Bruksel që të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël, për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.