Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar liderët e opozitës Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj, që të takohen të martën, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ftesa u është bërë në mënyrë elektronike, por do t’i dërgohen fizikish, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, raportoi të hënën KosovaPress.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, ndërsa sot dërgohen në formë fizike. Ftesa për takim është për ditën e nesërme”, ka thënë Kryeziu.

Paralajmërimin për këtë takim, Kurti e bëri të ditur të dielën, në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të Vetëvendosjes. Me këtë rast, Kurti deklaroi se mospajtimet politike që kanë mes vete pushtet e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror.