Sulmi i Rusisë në një stacion treni në Ukrainë që vrau më shumë se 20 persona këtë javë është i fundit në një seri sulmesh në sistemin hekurudhor të vendit që disa studiues ligjorë ndërkombëtarë thonë se mund të konsiderohet si krim lufte.

Rusia pretendoi se e kishte vënë në shënjestër trenin pasi mendonte se transportonte ushtarë dhe pajisje luftarake. Një reporter i Associated Press, tha nga terreni se mes viktimave nuk kishte ushtarë ukrainas, por kishte parë vetëm civilë, mes të cilëve edhe fëmijë.

Nëse objektivi parësor kanë qenë civilët, sulmi mund të konsiderohet një krim lufte, kanë deklaruar ekspertët ndërkombëtarë. Një stacion treni është përgjithësisht një objekt civil dhe nuk duhet të jetë objektiv sulmi, tha Jennifer Trahan, një profesoreshë klinike në Qendrën për Çështjet Globale të Universitetit të Nju Jorkut.
Sulmi i së mërkurës në Chaplyne, një fshat i vogël në Ukrainën juglindore, ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në sistemin hekurudhor të vendit.

Në gati gjashtë muaj që kur Rusia pushtoi Ukrainën, AP dhe seritë e PBS Frontline kanë verifikuar në mënyrë të pavarur 39 sulme në infrastrukturën civile që mund të konsiderohen krime lufte. Tre prej tyre goditën infrastrukturën hekurudhore të vendit dhe kanë vrarë më shumë se 100 civilë. Në të tria sulmet, kishte pak prova për të mbështetur pretendimet e Moskës se trupat ukrainase ishin objektivi.

Sulmi vdekjeprurës të mërkurën erdhi ndërsa ukrainasit po festonin Ditën e Pavarësisë, teksa ishin në gatishmëri të lartë për shkak të paralajmërimeve se Rusia mund të sulmonte pikërisht në këtë datë të shënuar për ta.
Më shumë se 50 persona, përfshirë fëmijë, në përpjekje për t’u larguar nga Donbasi gjetën vdekjen si pasojë e një sulmi rus pranë një stacioni treni, në muajin prill të këtij viti. Fotot pas sulmit dëshmonin trupa të vdekur dhe bagazhe të braktisura të shpërndara rreth stacionit. Trenat dhe lokomotivat u shkatërruan nga zjarri.
Mykola Lukashuk, kryetar i Këshillit Rajonal të Dnipropetrovsk, tha gjatë një konference për shtyp të premten se granatimet në Chaplyne shkaktuan zjarr në pesë vagonë të trenit. Një familje, duke përfshirë një vajzë 17-vjeçare, u vra kur makina e saj u godit teksa po udhëtonte nga Donetsk.

Njerëzit po evakuoheshin nga Pokrovsk, rajoni Donetsk dhe një tren po nisej prej andej për në Lviv, tha Lukashuk. Nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, tha të enjten se një djalë 11-vjeçar ndërroi jetë nën rrënojat e një shtëpie aty pranë dhe një 6-vjeçar vdiq nga një zjarr i makinës pranë stacionit.
Nuk ka asnjë krim lufte që pushtuesit rusë nuk e kanë kryer ende në territorin e Ukrainës, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën. Edhe nëse disa anëtarë të ushtrisë ishin në mesin e të vdekurve, sulmi përsëri mund të shkelte ligjet e luftës nëse dëmton në mënyrë disproporcionale civilët.

“Nëse do të vrisni një numër të vogël trupash në krahasim me një numër të madh civilësh, ky është një krim lufte”, tha Michael Neëton, profesor në shkollën juridike të Universitetit Vanderbilt dhe drejtor i programit të studimeve juridike ndërkombëtare. Raketat Iskander janë raketa të fuqishme, me një rreze të lartë veprimi dhe precizon të lartë dhe nuk përdoren për misione të parëndësishme, tha Frank Ledwidge, bashkëpunëtor në Qendrën e Dialogut Transatlantik në Kiev dhe një ish-oficer i inteligjencës ushtarake britanike.

Ai tha se sulmi ndaj civilëve është i qëllimshëm, pasi shkaktimi i viktimave civile mund të sjellë ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në mbarë Ukrainën dhe kjo gjë i lejon Rusisë shtrirjen e një hegjemonie më të madhe.
Në maj, Rusia përdori raketa precize të lëshuara nga deti dhe ajri në pesë stacione hekurudhore kryesisht në Lviv, pasi pretendoi se Perëndimi po përdorte linjat hekurudhore për të dërguar armë në Ukrainë.