Veç Tiranës dhe Shkodrës, një tjetër Njësi Hemodinamike në Spitalin Rajonal Memorial Fier ofron cilësi dhe siguri për të gjithë banorët e jugut që kanë nevojë për ndërhyrje në zemër me metoda të avancuara mini-invazive, duke shpëtuar jetë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot përmes rrjeteve sociale momente nga një ndërhyrje e suksesshme e kryer në këtë spital.

“Një ndërhyrje delikate tek një e moshuar nga Fieri është kryer me sukses nga stafi turko-shqiptar në Memorial, Dr. Evrin Dagtekin, Behxhet Dangëllia dhe Ali Oktay, me një teknikë të re të ndërmarrë nga mjekët turq”, shkruan Manastirliu.

Ministrja theksoi se mbi 600 koronarografi janë realizuar gjatë këtij viti në Spitalin Memorial për banorët e jugut të vendit, të cilët tashmë e marrin shërbimin në Qendrën e Hemodinamikës në Fier, pa pasur nevojë të vijnë në Tiranë.