Nga Bledi Lumani/

Nëse presidenti i vendit, në ndonjë vend tjetër, do të rezultonte se ka qenë spiun, do të përbënte një skandal të madh.

Mediat do të merreshin vetëm me këtë fakt dhe presidenti jo vetëm që do të duhej të jeptë llogari, por do të ishte zhdukur nga jeta politike e mediatike.

Në Shqipëri ndërkohë, ndodh e kundërta.

Që prej publikimit të dosjes së Ilir Metës, si bashkëpunëtor Sigurimi, ky i fundit jo vetëm që nuk ka kërkuar falje minimumi, për atë që ka bërë në rini, pasi edhe mund të justifikohej se ishte i ri dhe i kanë bërë presion, por ka shpeshtuar daljet në publik.

Herë duke kërcënuar, herë tjetër duke u shfaqur si një politikan e prind model, që luan më fëmijët buzë detit.

Dhe mediat, për turpin e tyre, nuk merren me skandalin që iu ka plasur sheshit- pavarësisht faktit se kush e nxorri dosjen dhe pse tani- por na nxjerrin Ilir Metën mëngjes, drekë, darkë, sikur nuk ka ndodhur gjë, për të na treguar si do rrëzojë Edi Ramën në shtator, dhe bashkë me atë plakun non grata do të vijnë në pushtet në shtator.

Ndërkohë që në vendet perëndimorë, politikanë shumë më seriozë se ky janë zhdukur nga jeta politike, fjala vjen vetëm për ndonjë plagjiaturë diplome apo doktorature, I.M, për turpin tonë, që jo vetëm ka mbi shpinë akuza monstruoze dhe nga vetë aleati i tij i tanishëm, për korrupsion, vrasje, trafik droge etj, ka pushtuar televizionet e gazetatat, duke na bërë moral e duke denoncuar skandale, ndërkohë që i vetmi skandal që duhet të na shpjegojë dhe që duhet pyetur nga gazetarët në çdo dalje të tij, është dosja e spiunit të Sigurimit të Shtetit që i ka dalë.

Të sqarojë njëherë dosjen e tij dhe të bëjë transparencë, pastaj të dalë sa të dojë e të flasë për skandalet e Ramës. Ndryshe mirë është të kyçet në vilën e tij në Lalëz e të mos dalë kaq shpesh, se veç veten merr më qafë, jo vetëm duke u shfaqur siç po shfaqet, një karikaturë qesharake, që nuk tremb më dot njeri, si atëhere kur spiunonte shokët e vet, por edhe se u kujton përditë njerëzve se kush është I.M, duke i shtuar kështu jetën në pushtet Edi Ramës, atij që thotë se po na vjedh e vret çdo ditë.

Mirë është që këtë ta kuptojnë edhe mediat që janë në borderonë e tij, që të mos na e shfaqin kaq dendur, se jo për gjë, por duke na nxjerrë nga mëngjesi në darkë I.M si “Mesian” që do shpëtojë vendin nga djalli Edi Rama, kam frikë se do na bëjnë peshqesh këtë të fundit dhe nja dy mandate të tjera. (TemA)