Marrëveshja kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale të Vodnos në Shkup nga presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski, si dhe liderët e atëhershëm të LSDM-ja, Branko Cërvenkovski, për PPD-në, Imer Imeri dhe PDSH-ja, Arben Xhaferi.

Në parimet bazë të dokumentit thuhet se “përdorimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike refuzohet plotësisht dhe pa kushte”.

Askush nuk e kishte menduar se do të duhet kaq kohë e gjatë të flitet për këtë Marrëveshje, jo vetëm si dokument, por edhe si efekt frustrimi që kishte prodhuar mosimplemntimi i plotë i saj. Dhe tani kur kemi edhe një Marrëveshje tjetër, atë Prespës, analizës i ngelen edhe disa ngjyra për ta bërë më të plotë ylberin që bashkon këto dy ngjarje kapitale për shtetin e brishtë dhe të kërcënuar nga krizat e brendshme dhe të jashtme.
Parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, sikundër dihet, ishin 4: Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht; Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.